Arbëri

Niveli qendror e shpall të paligjshme marrëveshjen e Fushë-Kosovës me “Caritasin”

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka shpallur të paligjshme marrëveshjen e Komunës së Fushë-Kosovës me organizatën joqeveritare “Caritas Kosova” për ngritjen e përkujdesit social dhe shëndetësor.

Komisioni për vlerësim të përshtatshmërisë në shkresën e tij ka kërkuar që ky vendim të shfuqizohet pasi ka konsideruar se është edhe jotransparent. Komisioni në fjalë në bazë të nenit 7 të Rregullores (QRK) Nr. 01/2016 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave, ka shqyrtuar vendimin e lartcekur dhe vlerëson se me këtë marrëveshje të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit “Ngritja e përkujdesit social dhe shëndetësor” në Komunën e Fushë-Kosovës nuk është zbatuar Rregullorja MT-Nr-04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, shkruan sot Koha Ditore.

“Nuk është zbatuar transparenca e kërkesës së publikimit për projektin, i mungon transparenca ashtu siç është cekur edhe në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2018. Zbatimi i akteve ligjore dhe nënligjore është obligim i të gjitha organizatave buxhetore për zbatimin e drejtë, efikas dhe efektiv të parasë publike. Ky vendim duhet të shfuqizohet, sepse është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në shkresën e Komisionit për mbikëqyrjen e përshtatshmërisë së akteve të komunave të datës 6.12.2018.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")