Arbëri

Çiklistët llapjanë, me marsh dedikuar fëmijëve me autizëm

“LLapiCyclingGroup”, nesër (e diel), duke filluar në ora 12:00, do të zhvillojë një marshim me biçikleta rrugëve të qytetit të Podujevës me moton “Më prano, Më kupto, Më duaj”, aktivitet ky dedikuar fëmijëve me #autizëm.

“Siç e dimë, muaji prill është ‘Muaji i Autizmit’, muaj i sensibilizimit të qytetarëve kudo në botë lidhur me çrregullimin tashmë të njohur me emrin #autizëm”, thuhet në njoftimin për media për këtë aktivitet, ndërsa bëhet me dije se aktiviteti organizohet me qëllim që të sensibilizohemi dhe ta bëjmë sa më të njohur çrregullimin e autizmit, në mënyrë që të identifikohen të gjithë fëmijët dhe të filloj trajtimi i tyre sa më herët që është e mundur, sepse nëse zbulohet herët, gjasat për përmirësim janë shumë më të mëdha.

“Pranimi i Autizmit është gjysma e punës, autizmi duhet trajtuar nuk duhet fshehur”, thuhet në njoftimin për media të #LLapiCyclingGroup.

Ky aktivitet nuk ka karakter garues mirëpo sensibilizues dhe është i hapur për gjithë çiklistët llapjanë.