Arbëri

Pas muralit të kamerierit në Ferizaj, me reklama mbulohet edhe muri i objektit të Komunës

Pas vendosjes së posterit reklamues që “zhduku” muralin e kamerierit në hotelin “Luboten” në qendër të Ferizajt, me posterë reklamues është mbushur edhe një pjesë e murit të objektit të Komunës së këtij qyteti.

Të mërkurën, në pjesën anësore e objektit të komunës janë vendosur disa posterë nëpërmjet të cilëve njoftohen qytetarët se do të mbahen ndeja festive nëpër klubet e natës të Ferizajt.

Rreth kësaj çështje ka reaguar Enver Haliti, shefi i grupit të këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Ferizajt nga radhët e Vetëvendosjes.

“Pas vendosjes së posterit mbi muralin e kamerierit në hotelin “Luboten”, radhën tash e ka objekti i komunës së Ferizajt. Nëse pushteti gjeti arsye se nuk mund të intervenojnë për shkak së murali nuk është i mbrojtur, a thua edhe objekti i komunës është pa mbrojtje?”, ka thënë Haliti.

Ndërkaq, sa i përket muralit të kamerierit në hotel “Lyboten”, me të cilin identifikohet qyteti i Ferizajt është mbuluar nga një poster mjaft i madh në të cilin paralajmërohet mbajtja e një koncerti nga disa këngëtarë ferizajas në klubet e natës së këtij qyteti.

Ky veprim ka ngjallur pakënaqësi ndër ferizajas të cilët konsiderojnë se institucionet komunale janë ato që duhet të reagojnë për mbrojtjen e vlerave kulturore e artistike të qytetit.

Image

Image