Arbëri

Në Dujakë s’ka më vend për varre, familja Alijaj e varrosi nënën në pronë private

Xhafer Alijaj nga fshati Dujakë e komunës së Gjakovës, muajin e kaluar, e ka varrosur nënën në pronën e tij private.

Kështu ka vepruar pasi që nuk ka pasur zgjidhje tjetër, përderisa në varrezat e fshatit nuk ka hapësirë për varre të reja, raporton KTV.

Alijaj kërkon që të ofrohet ndonjë zgjidhje nga komuna e Gjakovës, pasi, sipas tij, banorët e tjerë nuk kanë hapësira për t’i varrosur familjarët e tyre.

Kjo sepse të gjithë banorët nuk kanë mundësi të ndajnë tokë private për varreza.

Problemi i kamotshëm i banorëve të fshatit Dujakë, për hapësirë të vogël të varrezave, është ngritur edhe në Kuvendin Komunal të Gjakovës.

Në komunën e Gjakovës thonë se janë të njoftuar me problemin, për të cilin banorët e fshatit duhet të bëjnë kërkesë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për hapësirë të re të destinuar për varreza.

Afërdita Lama, drejtoreshë e Drejtorisë së Kadastrës dhe Gjeodezisë në Gjakovë, ka theksuar se në momentin që AKP-ja do të përgjigjet pozitivisht në kërkesën e banorëve, ata do ta ofrojnë pronën komunale në këmbim me pronën e AKP-së për varreza.

Me mungesë të hapësirës për varreza përballen edhe fshatrat Batush, Popoc, Bec,
Zhdrellë dhe banorët e qytetit të Gjakovës.