Arbëri

Kryetari i Malishevës u raporton qytetarëve për punët e kryera

Malishevë, 20 dhjetor - Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka prezantuar sot para qytetarëve punën njëvjeçare të qeverisë komunale si dhe është përgjigjur në pyetjet që i kanë parashtruar të pranishmit.

Ai ka numëruar investimet e bëra, duke filluar me investimet në bujqësi - dhënien e 39 serrave, 74 makinave mjelëse, 165 motokultivatorëve, përkrahjen me mjete për 153 bletarë, pastaj 80 makina për shpërndarjen e plehut kimik, 20 makina për mbjelljen e misrit dhe furnizimi me lopë qumështore për 80 fermerë. Po ashtu shumë shpejt do të furnizohen me makina spërkatëse 350 fermerë, pastaj 40 të tjerë do të furnizohen me makina për mbjelljen e grurit dhe 40 të tjerë me makina spërkatëse 400 litra, ndërsa10 fermerëve do t’iu ndërtohen stalla.

Në lidhje me investimet në fushën e arsimit, kryetari Begaj ka përmendur renovimet e shkollave, rrethojave, pastaj objektet e reja shkollore, si në Llazicë, Bubavec, dhe aneksi i gjimnazit, në Bardh dhe në Lladrovc, si dhe vënia e gurthemelit të shkollës në Panorc, si dhe me ndarjen e bursave për studentë dhe ndërtimi i fushave të sportit nëpër shkolla

Gjithashtu ai prezantoi edhe investimet në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, siç janë masat për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo, autoambulancat, shërbimet shëndetësore shtëpiake, pastaj ndërtimin e pesë shtëpive për familjet në nevojë dhe të tjera.

Nga fusha e shërbimeve publike u prezantua mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve, rregullimi i ndriçimit në Dragobil, Astrazup, Marali, në një pjesë të Banjës, në Kijevë dhe në Malishevë. Në këtë fushë u njoftuan edhe me sigurimin e transportit për nxënësit me kushte të rënda socio-ekonomike.

Sa i përket investimeve në infrastrukturë, u tha se këtë vit, deri më tani janë ndërtuar 30.390 km sistem i kanalizimeve nëpër vendbanime, pastaj 19.810 km rrugë të asfaltuara, 14.650 km trotuare. U përmenden edhe investimet nga niveli qendror, si fillimi i ndërtimit të rrugës transite për Malishevën, fillimi i ndërtimit të Qendrës së Banimit Social, rregullimi i shtratit të lumit Mirusha, e së shpejti pritet edhe fillimi i ndërtimit të inkubatorit të biznesit.

Në fushën e kulturës, rinisë deh sportit, gjithashtu ka pasur investime dhe aktivitete me rëndësi, si ndërtimi i stadiumit për qytetin e Malishevës, pastaj vazhdimi i organizimit të festivalit folklorik “Oda e Llapushës” dhe shumë aktivitete të tjera.

Kryetari i Malishevës në fund është përgjigjur në pyetjet e drejtuara nga të pranishmit, dhe i ka dëgjuar edhe vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.