Arbëri

Ndalimi i celularëve s’gjen zbatim në të gjitha shkollat

Përfaqësues të disa shkollave në Komunën e Ferizajt po e kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë për ndalimin e përdorimit të telefonave derisa ai nuk parasheh saktësisht masa konkrete për ndëshkim të nxënësve.

Megjithëse ky vendim është nxjerrë rreth një muaj më parë nga MASHT-i, në shkollat e kësaj komune nuk ka ndryshuar asgjë rreth kësaj çështjeje, madje nxënësit po vazhdojnë t’i përdorin telefonat nëpër klasa gjatë procesit mësimor, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtorët e shkollave kanë thënë se vendimi i MASHT-it është mjaft konfuz dhe duhet të ndryshohet për t’i paraqitur saktësisht masat ndëshkuese për nxënës.

Naser Osmani, drejtor në gjimnazin “Shaban Hashani” në Ferizaj, ka thënë se vendimi i MASHT-it për ndalimin e përdorimit të telefonave të nxënësve gjatë procesit mësimor nuk po gjënë zbatueshmëri, madje deri tashti nga 1.500 nxënës sa ka gjithsejtë kjo shkollë, asnjëri prej tyre nuk është ndëshkuar për një veprim të tillë.

Edhe Abdullah Imeri, drejtor i shkollës së mesme të agrobiznesit “Zenel Hajdini” në Ferizaj, ka thënë se vendimi i MASHT-it nuk po gjen zbatim shkaku i mosdefinimit të masave ndëshkuese.

Kenan Gashi, drejtor në OJQ “AVONET”, ka sugjeruar Komunën e Ferizajt që ta nxjerrë një rregullore të re, nëpërmjet së cilës t’i paraqesin disa masa ndëshkuese për përdoruesit e telefonit.

Nga ana tjetër, Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se vendimi i MASHT-it është mjaft i qëlluar, por me vështirësi do të gjejë zbatim, sepse nëpër shkolla nuk ka kushte adekuate për ruajtjen e telefonave celularë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)