Arbëri

Zyrtari i QPS-së në Prizren pezullohet nga puna shkaku i aktakuzës

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pezulluar nga puna, udhëheqësin e skemës së ndihmës sociale në Qendrën e Punës Sociale, Avni Ademaj.

Këtë vendim, Haskuka e ka marrë për shkak se ndaj zyrtarit në fjalë është ngritur aktakuzë, që në shkurt të vitit 2013, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Avni Ademaj, i sistemuar në pozitën udhëheqës i skemës së ndihmës sociale në Qendrën e Punës Sociale - Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Prizrenit pezullohet nga puna me pagesë prej 50% të pagës së tij mujore prej 3.12.2018, për shkak se ndaj tij është ngritur aktakuza PP.NR. 147/2011 e 26.02.2013”, shkruan në vendimin për pezullimin parandalues nga puna të nënshkruar nga Haskuka.

Aty theksohet se kohëzgjatja e pezullimit nga puna do të zgjasë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.

Ndërkaq në arsyetimin e vendimit sqarohet se Prokuroria Themelore e EULEX-it në Prizren ka ngritur aktakuzë në shkurt të vitit 2013 ndaj nëpunësit civilë të Komunës së Prizrenit, Avni Ademaj, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i autoritetit zyrtar. Po ashtu theksohet se në bazë të dispozitave të Ligjit për shërbyesit civilë, kryetari Haskuka ka vendosur që të sipërpërmendurin ta pezullojë nga puna me pagesë prej 50% të pagës mujore, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)