Arbëri

Haskuka paralajmëron matjen e performancës së Ekzekutivit

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka paralajmëruar se në fund të vitit do të ketë matje të performancës së punës së drejtorëve të Ekzekutivit. Por, sipas tij, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me punën e të emëruarve në Qeverinë komunale do të diskutohen fillimisht me ta.

“Në fillim të vitit i kemi përcaktuar qëllimet për çdo drejtori dhe rezultatet që duhen me u arritë deri në fund të vitit. Normalisht do t’i kontrollojmë të gjitha tashti deri në Vitin e Ri, e pastaj do të bisedojmë me çdonjërin nga drejtorët, për sfidat dhe problemet që i kanë pasë. Së pari mbetet të diskutoj me drejtorët e pastaj eventualisht mund të dalim me qëndrime”, ka thënë Haskuka.

Në mbledhjen e fundit të Ekzekutivit komunal, kryetari pati kërkuar nga drejtorët që të raportonin për projektet e realizuara, ato që kanë dështuar, arkëtimin e të hyrave vetjake, si edhe problemet dhe sfidat në dikasteret përkatëse, shkruan sot Koha Ditore.

Në paraqitjen para gazetarëve ai pati theksuar se nëse shikohet përqindja e buxhetit të realizuar dhe të hyrave të arkëtuara del se viti i parë i qeverisjes ka qenë i suksesshëm, pavarësisht pengesave të shfaqura. Sipas tij, viti 2018 në përgjithësi mund të konsiderohet si vit i suksesshëm për Komunën e Prizrenit. Por njëkohësisht pati pranuar ekzistimin e problemeve e sfidave gjatë këtij viti, që kanë pamundësuar realizim më të lartë të buxhetit, veçmas tek investimet kapitale.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)