Arbëri

Mitrovica nis shqiptimin e gjobave për hedhjen e mbeturinave

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës, me qëllim të mbrojtjes së Mjedisit dhe krijimit të një ambienti sa më të pastër, ka filluar ta zbatojë urdhëresën administrative nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për ndëshkime me gjoba mandatore.

Ky Udhëzim Administrativ ka për qëllim parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara. Me anë të këtij udhëzimi përcaktohen procedurat për shqiptimin e ndëshkimeve me gjoba mandatore personave fizik dhe juridik të cilët dëmtojnë mjedisin duke hedhur mbeturinat në vendet jo të duhura.

Gjobat kategorizohen nga 5 deri në 100 euro, varësisht nga dëmi që i bëhet mjedisit, ku gjoba më e lartë do të shqiptohet për hedhjen e çfarëdo lloj mbeturine në ujëra të përroskave, lumenjve, liqeneve ose sipërfaqeve të tjera me ujë.

Inspektorja për shërbime komunale, Kimete Berisha, vetëm gjatë ditës së djeshme, ka shqiptuar 3 gjoba mandatore, duke bërë të ditur se nëse personi i ndëshkuar me gjobë mandatore e bën pagesën brenda 15 ditëve, gjoba është 50% me lirë, ndërsa nëse kalon ky afat, lënda procedohet tek përmbaruesi për ekzekutim.

Drejtoria e Inspekcionit ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të ruajnë ambientin dhe mos të bëjnë hedhjen e mbeturinave jashtë kontejnerëve, përndryshe të gjithë personat fizik dhe juridik të cilët hasen nga Inspekcioni duke hedhur mbeturina do të gjobiten me gjoba mandatore konform ligjeve në fuqi.