Arbëri

Në Mitrovicë do të ndërtohen edhe tre lapidarë

Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, Bordi i drejtorëve ka shqyrtuar të hënën Draft-raportin e auditimit ”Menaxhimi i të hyrave vetjake në nivel komunal”.

Pasi u njoftuan për të gjeturat e auditorit lidhur me këtë çështje kryetari i komunës, Agim Bahtiri kërkoi nga drejtorët e drejtorive komunale që të planifikojnë dhe realizojnë të hyrat e tyre. Ai u tha drejtorëve se deri në fund të këtij muaj duhet të japin përgjigjet e tyre se a pajtohen apo jo me të gjeturat e auditorit.

Si pikë tjetër e rendit të ditës që u shqyrtua në mbledhjen e bordit ishte edhe ajo lidhur me formimin e listave të menaxhimit të rreziqeve për të gjitha drejtoritë. U konstatua se është e domosdoshme që drejtoritë komunale të përgatisin listën e rreziqeve kryesore, të cilat mund të paraqesin probleme eventuale në veprimtaritë përkatëse, njofton komunikata nga kjo Komunë.

Bordi i drejtorëve shqyrtoi edhe përgatitjet e deritashme për realizimin e projekteve për tre lapidarët e paraparë për realizim gjatë këtij viti.

“U konstatua se lapidari i minatorëve dhe ai i viktimave të sulmit barbarë të okupatorit serbë në tregun kryesor të qytetit janë në fazë të tenderimit dhe se mund të realizohen brenda afatit të paraparë. Po ashtu u konstatua se edhe përmendorja e Artim Jasharit mund të jetë gati për përurim në afatin e përcaktuar më parë”, thuhet në njoftim.