Arbëri

Punimeve në segmentin e rrugës Mleqanë – Kijevë nuk po u shihet fundi

Ndërtimi i segmentit të rrugës Mleqanë - Kijevë në magjistralen Prishtinë – Pejë është zgjatur jashtëzakonisht shumë, ani pse ishin dhënë disa afate për përfundimin e tij.

Afati i fundit u tha të ishte viti i kaluar. Por, punimeve në këtë rrugë nuk po u shihet fundi.

Megjithëse banorët kanë dhënë pëlqimin e tyre për ndërtim, tashmë vetëm 19 parcela janë shpronësuar, derisa edhe po aq të tjera presin shpronësimin.

Në Ministrinë e Mjedisit, e cila është e obliguar të bëjë shpronësimin e pronave, thonë se brenda pak ditësh, pritet miratimi i vlerësimit të pronave në qeveri, gjë që pas saj banorët mund të aplikojnë për kompensim të pronave.

Ministria e Infrastrukturës frikësohet se banorët sërish mund të nxjerrin problem. Ky projekt kap shumën e mbi pesë milionë eurove.

Për pjesën tjetër deri në Pejë, Ministria e Infrastrukturës është duke diskutuar me BERZH-in për financimin e saj.