Arbëri

Pas dëmeve nga breshëri, Rahoveci kërkoi fond emergjent

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo sot qëndroi për vizitë në qytetin e Rahovecit, ku mori pjesë në hapjen e simpoziumit shkencor “Vlera dhe ardhmëri e hardhisë dhe verës Vranç”.

Kryetari i komunës, Smajl Latifit dhe ministri Rikalo, në zyrën e kryetarit Latifi, biseduan për dëmet e shkaktuara ditëve të fundit nga breshëri dhe të reshurat e mëdha prej të cilave pësoi rëndë bujqësia në përgjithësi e posaçërisht sektori i vreshtarisë.

Siç njofton Ministria e Bujqësisë, ministri Rikalo tha se është formuar një komision në nivel komunal së bashku me Ministrinë e Bujqësisë dhe do të bëhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara dhe pas kësaj do të merren vendime për mënyrën e kompensimit. “MBPZHR-ja do të mundohet përmes formave të ndryshme të gjejë modele të përshtatshme dhe pastaj do të vendoset se çfarë mundësi do të përzgjidhen”.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se kërkon nga Ministri që të filloj me iniciativë për krijimin e një fondi emergjent për kompensimin e dëmeve të fermerëve të shumtë të cilët janë dëmtuar rëndë pas të reshurave të fundit. “Shpresoj që pas vlerësimit të dëmeve nga komisionet e përbashkëta të Komunës së Rahovecit dhe Ministrisë së Bujqësisë, do të gjenden modalitete që këto shqetësime dhe dëme të fermerëve tanë, të realizohen konkretisht me kompensim nga ana e Qeverisë”.

Në këtë takim u diskutua edhe për çështjen e sigurimeve bujqësore, si një mekanizëm mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e prodhuesve dhe prodhimeve kosovar.