JETA

Veraritë e Rahovecit - JETA

Destinacioni i kësaj jave gjendet rreth një orë larg kryeqytetit, në Rahovec, qytet ky që njihet për vreshtat e veraritë që ka.

Për shkak të motit e mjegullës ishte e vështirë të detektoje me kamerë atë që shihje me sy. Megjithatë degët e rrushit, të thata nga stina, përsëri e “shfaqën” bukurinë e tyre para nesh.

Rrugët deri në pikën e takimit ishin pothuajse të zbrazëta.

Në bodrumin e errët e të ftohtë hasëm me qindra fuçi të mbushura me verë të varieteteve të ndryshme.

Sipas menaxheres së shitjes, Teuta Kurshumlija veraria Stone Castle ekzistonte që nga viti 1953, ndërsa ishte privatizuar në vitin 2006.

Krahas fuçive të mëdha, një pjesë të bodrumit e kishin zënë edhe ato të voglat.

Përveç vjeljes së rrushit, bluarjes e peshimit, prodhimi i verërave përfshin edhe disa faza të tjera.

Pyetjeve që kishim u dhanë kuptim përgjigjet e ekspertëve të kësaj fushe, pikërisht enologët të kompanisë.

Sipas Rrahman Kabashit, verërat e bardha janë gati të kalojnë në shishe pas disa muajsh, kurse ato të kuqe kërkojnë 2 deri në 3 vjet kohë.

E sigurisht që duhet pasur kujdes edhe për temperaturën në të cilën ruhen.

Sipas tyre, testimi i një vere të mirë bëhet në një tavolinë të shoqëruar me pak ushqim që ndihmon në neutralizimin e shijes.

Ndërsa në këtë fabrikë mund të mbushen mbi 2.500 shishe në orë. Kjo varion nga kërkesat e tregut.

Të kuqet, të bardhat, roset e rakitë e ndryshme nuk shiten vetëm në Kosovë. Sipas Teuta Kurshumlisë, “Stone Castle” produktet e saj i shet në shumicën e vendeve të Evropës e Amerikës.

Kjo nuk është veraria e vetme në Rahovec. Ne vizituam edhe “Kosova Wine”.

“Në çdo cep të Rahovecit mbillet rrushi”, na thanë. Dhe ashtu ishte.

E ne u kthyem, me shpresën që do të shkojmë prapë në kohën e mbjelljes.