• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Pushimet shtyjnë nënshkrimin e marrëveshjes për Distribucionin

Publikuar: 28.06.2012 - 10:28

Prishtinë, 28 qershor – Kontratën për shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit (KEDS), Qeveria e Kosovës mund ta nënshkruajë tek në shtator të këtij viti. Zyrtarizimi i marrëveshjes me konsorciumin turk Limak-Çalik, sipas qeveritarëve, shtyhet për shkak të muajit të shenjtë të Ramazanit, që është pushim në Turqi, si dhe muajit gusht që është pushim për administratën në Kosovë.

“Sipas dokumentit ‘Rregullat e ofertimit’, nënshkrimi i kontratës është paraparë dhe duhet të bëhet në afat prej jo më shumë se 90 ditë pune. Sa i përket njoftimit për agjendën e saktë këtë do ta bëjmë së shpejti”, thuhet në përgjigjet zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë.

Ndërkohë, konsorciumi Limak-Çalik pritet që në fillim të muajit korrik të bëjë një prezantim para Qeverisë së Kosovës për të treguar për kapitalin e vet, përvojën që ka në menaxhimin e distribucioneve si dhe planin për investime në Kosovë.

Kjo ministri e cila e ka udhëhequr procesin e privatizimit ka thënë se konsorciumi i shpallur fitues është shprehur i gatshëm të hyjë në marrëdhënie kontraktuale për privatizim të KEDS-it, ashtu siç edhe e ka bërë publike më datën 8 qershor, kur ishte shpallur ofertuesi i preferuar.

Kompania tjetër që ka qenë në garë për privatizim të KEDS-it, Elsewedy, sipas MZHE-së, nuk ka paraqitur ankesë rreth këtij procesi.

“Nga kompanitë e parakualifikuara nuk ka pasur ankesa për procesin e tenderimit. Ato janë ndarë të kënaqura me gjithë këtë proces, duke e cilësuar atë si korrekt dhe transparent. Konsorciumi fitues Limak-Çalik është shprehur i gatshëm të procedojë me nënshkrimin e kontratës dhe kjo pritet të ndodhë së shpejti”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të MZHE-së.

Kompania Elsewedy e ka dërguar një letër në Qeveri me anë të cilës ka thënë se është e gatshme të blejë KEDS-in në rast se Qeveria e Kosovës nuk arrin të hyjë në marrëdhënie kontratuale me ofertuesin e parë, konzorciumin Limak-Çalik.

“Kjo është një procedurë normale në proceset e tenderimit, megjithëkëtë, konsorciumi Çalik dhe Limak është serioz dhe shumë i interesuar të arrijë nënshkrimin e kontratës me Qeverinë e Kosovës”, kanë thënë zyrtarët e MZHE-së.

E për OJQ-të kjo kohë duhet të shfrytëzohet nga Qeveria për të rishikuar edhe njëherë vendimi për privatizim në mënyrë që të përmirësohet gabimi, para se të hyhet në obligime kontraktuale me kompaninë e shpallur fituese nga Qeveria.

Sipas tyre, çmimi i shitjes është shumë i ulët, ndërsa shitja nuk e zgjidh problemin por i rrit ato duke ndikuar në tarifa.

“Qeveria e Kosovës duhet të anulojë procesin e shitjes së KEDS-it dhe këtë ka bazë ligjore për ta bërë, meqenëse ende nuk është përfshirë në marrëdhënie kontraktuale me fituesin e preferuar të këtij procesi”, ka thënë Nezir Sinani, hulumtues dhe analist në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP).

Ai thotë se Qeveria i ka disa arsye për të mos e nënshkruar kontratën dhe për të anuluar privatizimin.

“Privatizimi krijon monopol në fushën e shpërndarjes së energjisë elektrike. Kjo dëmton konsumatorin, meqenëse kufizon mundësinë e furnizuesve të rinj me energji elektrike për t’ju qasur tregut kosovar nga viti 2015, siç parashihet me legjislacionin vendor dhe evropian”, ka thënë Sinani.

Po ashtu, sipas tij, çmimi për të cilin Qeveria është duke e shitur KEDS-in është shumë i ulët krahasuar me çmimin që asetet e ngjashme janë shitur në vendet e rajonit. Ai ka thënë se Mali i Zi i ka shitur 80 për qind të aksioneve për 380 milionë euro, kurse Maqedonia i ka shitur 225 milionë. E Kroacia e Serbia nuk i kanë shitur fare rrjetin e shpërndarjes së energjisë.

“Vlera e ofertuar nga konsorciumi i preferuar është jashtëzakonisht e ulët dhe nuk reflekton as për së afërmi vlerën reale të aseteve të shpërndarjes dhe të furnizimit”, ka thënë ai. “Kosova nuk duhet ta ‘falë’ këtë pasuri për vetëm 26,3 milionë euro”.

Ai po ashtu ka thënë se shkas për ndalimin e privatizimit duhet të jetë edhe fakti se privatizimi nuk do të rezultojë në zgjidhje të problemit të humbjeve komerciale në rrjet. Sinani ka thënë se humbjet komerciale, së bashku me investimet e parapara për zvogëlimin e humbjeve teknike, do të ndikojnë në ngritjen drastike të çmimit të energjisë elektrike për të mbuluar koston e punës së KEDS-it.

“Kjo do të rezultojë në probleme shtesë në sektorin energjetik të vendit; do të shtohen humbjet komerciale dhe mundësia për ta paguar energjinë nga popullata e varfër e Kosovës do të bie dukshëm, çfarë do të rezultoi në ngritje të nivelit të mospagesës”, ka thënë ai.

Asetet e shpërndarjes së energjisë elektrike nuk duhet të shiten, por, sipas tij, duhet të menaxhohen në formën e duhur për t’i ofruar konsumatorit energji kualitative, kurse furnizuesve me energji qasje të lehtë e të barabartë ne tregun kosovar.

Nezir Sinani ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i ofrojë mbështetje të menjëhershme për trajtimin e lëndëve të keqpërdorimit të energjisë elektrike dhe mospagesës së saj në sistemin gjyqësor të vendit, si dhe të liberalizojë tregun e furnizimit me energji elektrike nga viti 2015.

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 25°CI kthjellėt
Tiranė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 29°CI kthjellėt
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell