EXPRESS

Anxhela Peristeri, gati për “Eurovision”

Një muaj para se të ngjitet në skenën e madhe të Eurovisionit, ajo është duke punuar intensivisht për çdo detaj që do ta përcjellë në skenë.

Anxhela Peristeri për emisionin “Express”, ka treguar se përse pikërisht këtë vit përzgjodhi t’ia mësyjë Festivalit të Këngës, i cili ia dha biletën për të përfaqësuar Shqipërinë në ngjarjen e madhe muzikore. Duke i pasur para vetes dy-tri projekte muzikore, ajo kishte përzgjedhur “Karmën” pasi që në dëgjim të parë e kishte tërhequr melodia e këngës, ndërsa kur ajo u ndërthur me tekstin e bindi akoma dhe më shumë për ta përzgjedhur këtë këngë.

“Unë dhe Kledi e kishim diskutuar shumë herë pjesëmarrjen tonë në Festivalin e Këngës, por çdo vit angazhimet ishin shumë të mëdha dhe ne nuk gjenim kohë të merreshim me një projekt për një kohë të gjatë. Meqë këtë vit ishte pandemia dhe ne kishim goxha kohë pushim dhe krijuam dy-tre projekte ndër të cilat zgjodhëm “Karmën” për të përfaqësuar veten atje dhe kjo rezultoi pozitive, sepse ne dolëm fitues dhe do të ikim në Eurovision”, ka treguar Peristeri për KOHËN.

Këngëtarja Anxhela Peristeri ka se treguar se përse ka përzgjedhur që në garën e madhe muzikore të këndojë në gjuhën shqipe.

“Mendoj që gjuha shqipe është një gjuhë shumë e bukur dhe e gjithë bota dhe Evropa duhet ta dëgjojë, ndërkohë që i shkonte shumë edhe këngës tonë, ne vendosëm ta bëjmë këngën në gjuhën shqipe, sepse ishte më e bukur dhe mund të shprehesha më bukur në këtë gjuhë”, ka treguar tutje ajo.

Ajo është duke punuar intensivisht për ta prezantuar sa më denjësisht shtetin shqiptar atje. Madje, për këtë është shumë e bindur.

Anxhela, duke dashur që performanca e saj të jetë një befasi, ka zbuluar se është duke përgatitur një performancë të veçantë dhe është duke punuar me një grup profesionistësh.

“Me performancën po merret Sacha Jean-Baptiste që ndodhet në Suedi, është një nga regjisorët kreativ më të njohur në Eurovision dhe gjithashtu bën edhe melodi festivalesh. Jam shumë e lumtur që po punoj me ta dhe jam e bindur që do të bëjmë një super – performancë për Shqipërinë këtë herë. Krejt çfarë mund të ndajë është se nuk do të ketë balerinë”, shprehet Anxhela.

Ajo tregon për komentet që i ka marrë deri tash për këngën dhe cili është instinkti i saj muzikor. Ndërsa, festivalet mbesin një histori e përhershme dashurie për Peristerin.

“Festivali për mua është një tip rilindje dhe më pëlqejnë shumë festivalet andaj më shihni gjithmonë në festivale. Kur zgjedh një këngë nuk është që ke parime, mjafton që të pëlqej në rend të parë. Për mua kanë shumë rëndësi bashkëpunëtorët në radhë të parë të cilët duhet të jenë njerëz pozitiv dhe korrekt në punën e tyre”, ka thënë ajo.

Pas fitores në edicionin e 59-të në Festivalin e Këngës, Anxhela Persiteri do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.

Shqipëria është renditur në natën e dytë të gjysmëfinales. Anxhela Peristeri, e cila mban numrin 11, do të interpretojë këngën “Karma”, me datë 20 maj.