EXPRESS

Korniza punëdore nga bimë natyrale

Të gjitha këto korniza janë të punuara nga një trajnere e gjimnastikës dhe notit.

Në fillim të këtij viti pandemik, kur u bë e pamundur ta vazhdojë aktivitetin e saj profesional, Kaltrina Selmanaj e nisi një iniciativë të re.

Dashuria për lulet e bëri që ato t’i kthejë në një subjekt të të gjitha këtyre kornizave që i punon me shumë përkushtim.

“E kam përfunduar masterin e edukimit fizik dhe sportit dhe kjo është krejt diçka tjetër me të cilën unë merrem. Si shumë njerëz që gjatë karantinës kanë mundur të merren me hobit e tyre, hobi im ka qenë që të krijoj diçka të bukur me lulet e terura, sepse e dimë që në të kaluarën kemi punuar herbariume në shkolla dhe kemi punuar për çështje edukative dhe në çështje shkencore dhe unë kam dashur që ta zhvillojë këtë art me lule të terura dhe jo si çdo herë pasi që të teret një lule ta gjuajmë, sepse neve nuk na vyen, por qëllimi im është që të krijoj diçka të bukur edhe me këto”, ka shpjeguar Kaltrina.

Shumica e luleve që janë kornizuar janë lule të cilat Kaltrina i ka mbledhur.

“Shumë pak ka që i kam blerë, shumica janë që i kam mbledhur në livadhe të ndryshme të cilat janë terur dhe më pas dhe kam vendosur që t’i kornizojë”, ka thënë ajo.

“Ka shumë lulet që përdoren dhe që më pëlqejnë shumë, zakonisht janë këto që teren dhe levanda më pëlqen shumë dhe barërat të ndryshme”, ka shtuar tutje Kaltrina Selmanaj.

Cak i punës së saj të dorës këtë fundvit janë edhe kartolinat. Në disa prej tyre ka përdorur drunj të pishave për t’iu përshtatur edhe më shumë atmosferës festive.

“Meqenëse pisha është simboli i festive të fundvitit, ky është dru nga pisha dhe kam përdorur zbukurime ku mund ta shkruash një urim të bukur. Urimi është çdoherë i bukur, por në kartolinë edhe më i bukur”.

Kaltrina Selmanaj ka një mesazh që të gjithë me punë u përgjigjen pasioneve të tyre.

“Secili në vetvete ka një kreativitet dhe nëse ne nuk merremi me të e mbyt atë kreativitet. Neve na mbyllen dy herë qendrat sportive dhe ideja ka qenë me vazhdu prapë me bo diçka dhe mos me mbet kështu që secili mund të jetë kreativ dhe artist në mënyrën e vet”, ka shtuar Selmanaj.

Kaltrina Selmanaj do të vazhdojë që të sjellë korniza të veçanta me lule shumëngjyrëshe dhe paralelisht ta ushtrojë profesionin e saj që lidhet me sportin.