EXPRESS

Dashuri e kreativitet në biskotat e fundvitit

Festat e fundvitit rëndom përcillen me ndriçim të shtuar e ëmbëlsira.

Antigona Pjetraj- Gegaj veçse e ka bërë më shumëngjyrëshe tryezën e saj me biskotat e përgatitura.

Ajo tregon procesin e përgatitjes së biskotave me shije të ndryshme, përderisa përmes gatimeve përpiqet t’i përshtatet çdo feste.

“Fillimisht kam filluar të përgatis çokollata dhe mandej duke iu përshtatur secilës festë që e kemi pasur gjatë vitit, kemi ardhur deri te biskotat të cilat bëhen më shumë për fundvit që janë me ngjyra të ndryshme pasi që edhe festat e kanë atë ndjesinë e shumë ngjyrave dhe ndriçimit. Jemi munduar që t’i përshtatim të gjitha këto detaje të paraqitura në biskota”, ka treguar Antigona Pjetraj-Gegaj.

Biskotave u ka dhënë forma të ndryshme që përçojnë mesazhe dashurie. Biskota në formë të zemrës, yllit, drenushës apo pemës së vitit të ri janë bërë bashkë në pjatat që servohen nga Antigona.

“Të gjitha produktet janë prej Zvicre, përdori ngjyra më të ndezura të dekoracioneve për shkak se i japin atë ndjesinë më të mirë të festive kur shërbehen apo kur dhurohen si dhurata. Ka pasur interesim edhe për ato biskotat ku në vetëm një kuti është një biskotë e dekoruar”, shpjegon Pjetraj- Gegaj.

Antigona thekson se pavarësisht rrethanave me pandeminë nëpërmjet dhuratave të tilla mund të bëhemi më të afërt me njëri-tjetrin.

“Secili vit ka rëndësinë e vet, por ky vit do të duhej shumë më shumë të përcillej me dashuri dhe ngrohtësi për shkak të rrethanave që i kemi pasur. Po shpresojmë në më të mirën në vitet e ardhshme me pas mundësi që t’i ketë secili dhe ta shijojë secilën prej formave dhe shijeve të ndryshme të biskotave”, ka thënë Antigona.

Antigona Pjetraj-Gegaj deri në fundvit do të vazhdojë të përgatisë pjata me biskota shumëngjyrëshe, duke e bërë festën edhe me më shumë kuptim.