EXPRESS

Në 142-vjetorin Lidhjes së Prizrenit u hap ekspozita e Parim Kosovës

Pesëdhjetë e dy fotografi pasqyrojnë rrugëtimin nëpër kohë në ngjarjet që trasuan rrugën dhe përcaktuan fatin e kombit.

Dëshmitë e një periudhe të rëndësishme për shqiptarët janë ekspozuar në ambiente të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, raporton KOHA.

Fotografitë e nxjerra nga fototeka “Marubi” të Shkodrës, “Jëlldës Sarajit” të Stambollit dhe nga arkivi shtetëror i Shqipërisë u prezantuan për ta shënuar 142-vjetorin e ngjarjes historike.

Ekspozita “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, me autor Parim Kosova, u konceptua në formën e një kujtimi të përpjekjeve për ndaljen e copëtimit të trojeve shqiptare.

Në ceremoninë hapëse të ekspozitës, ministrja e Kulturës shpalosi kronologjinë e themelimit të Lidhjes së Prizrenit.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se Lidhja e Prizreni ishte rizgjim i kombit shqiptar.

Ekspozita me fotografi dhe portrete të udhëheqësve e veprimtarëve të Lidhjes së Prizrenit u cilësua mësim edhe për të sotmen.