Video

Banorët e Karaçevës kërkojnë rezolutë që garanton mbrojtjen e territorit

Pas hyrjes së xhandarmërisë serbe, të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të shtëpive të tyre, banorët e brezit kufitar me Serbinë, kanë protestuar në hyrje të fshatit Karaçevë.

Me dhjetëra qytetarë që morën pjesë në protestë kërkuan unanimisht nga institucionet kosovare, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare që të ndërmarrin veprimet e duhura për t'i mbrojtur ata, në të kundërtën siç kanë thënë, ky fshat rrezikohet të braktiset tërësisht.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të kësaj zone, Selver Lenjani, pohon se qytetarët e kësaj zone ndihen të frikësuar dhe të pasigurt pas ndodhive të fundit. Për këtë ai ka kërkuar nga institucionet vendore miratimin e një rezolute që do të garantonte mbrojtjen e territorit në këtë pjesë, raporton KOHA.

Lenjani thotë se hyrja e fundit e xhandarmërisë serbe në këtë zonë do të duhej t’i aktivizonte të gjitha institucionet qendrore.

Kurse imami i xhamisë së Karaçevës, Bujar Ferra, kritikoi institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat, sipas tij, po e neglizhojnë rrezikun me të cilin përballen banorët e kësaj zone.

Në mesin e protestuesve ishte edhe 86-vjeçari, Ismajl Kastrati, i cili thotë se me veprime të tilla, Serbia po tenton t’i largojë banorët e Karaçevës nga shtëpitë e tyre. 

Në mbrojtje të qytetarëve të kësaj zone dolën edhe njësia kufitare e Kosovës, të cilët po e vëzhgonin territorin përreth.

Pjesë e protestës ishte edhe ish-deputeti, Gani Geci, i cili ka kërkuar nga banorët e kësaj zone që të mos bien pre e provokimeve të Serbisë.