Alpinistët janë gati për pushtimin e Mount Everesti

Alpinistët janë gati për pushtimin e Mount Everesti

14 mars 2017 21:13

Grupi prej katër alpinistëve që ka për synim pushtimin e majës më të lartë në botë, Mount Everest, u ka dhënë fund stërvitjeve dhe po qetësohet para se të marrë rrugën drejt Nepalit. 

Ekspedita që përfaqëson Kosovën, shtetin e vetëm në Evropë që ende nuk e ka pushtuar Mount Everesin, do të niset për në Nepal në fund të këtij muaji. Më 27 mars do të nisë misioni i tyre që pritet të zgjatë 67 ditë. 

“Stërvitjet kanë përfunduar, janë dy javët e fundit kur ne qetësohemi shpirtërisht dhe mendërisht, pushojmë dhe bëjmë vizita me familje te miqtë e njerëzit e rëndësishëm për ne. Sa duhet të jemi gati për këtë mision është mjaft relative, ne besojmë se jemi gati, duke u mbështetur në të gjithë parametrat që i kemi kaluar deri më tash, e që për ne janë të kënaqshëm dhe premtues”, ka bërë të ditur të hënën Nazmi Hasanramaj, kreu i grupit. “Nisja jonë do të bëhet më 27 mars. Ne i kemi siguruar fondet minimale për t’u nisur, kështu që rezervimet dhe biletat kanë përfunduar, duke përfshirë këtu edhe licencën e ngjitjes drejt majës”. 

Por, meqë është siguruar fond minimal, nuk është e sigurt nisja e gjithë anëtarëve të ekspeditës. Mund të ndodhë që ndokush të mbetet në Kosovë. Megjithatë Hasanramaj është optimist se do të udhëtojnë të gjithë, siç është planifikuar me vite. Krahas tij, pjesë e ekspeditës do të jenë edhe Arineta Mula, Qëndrim Sopi e Haki Hasanramaj. 

“Puna e fondit është fazë shumë e vështirë që na ka marrë shumë energji dhe na ka shkaktuar stres të madh, por gjithsesi jemi afruar. Ende nuk e dimë a do të udhëtojmë të gjithë, por shpresat janë të mëdha”, shtoi Hasanramaj. “Reduktimi i cil
itdo nga ekipi, neve do të na dobësojë teknikisht dhe shpirtërisht, sepse jemi përgatitur bashkë dhe caku ynë ka kuptim më të madh kur jemi bashkë”. 

Maja e Mount Everestit është më e larta në botë, me 8.848 metra lartësi mbidetare dhe ka një rrezikshmëri jashtëzakonisht të madhe. Pushtimi i këtij mali është përcjellë edhe me vdekshmëri të lartë ndër vite, meqë faktorët si orteku i borës, akulli, shkëmbinjtë, i ftohti ekstrem, mungesa e oksigjenit e ataku në zemër mund të jenë fatal për alpinistët. 

Alpinistët kosovarë për këtë sfidë kanë filluar të përgatiten prej vitit 2014. Më herët, alpinistëve kosovarë u është dorëzuar flamuri i Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi. 

Ata shpresojnë ta ngrenë atë lartë, në majën më të lartë në botë. 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme