Kosova niset për në Everest

Kosova niset për në Everest

28 mars 2017 20:58

“Qëllimi i ekspeditës është ngritja e flamurit të Kosovës dhe theksimi i shtetësisë sonë në Everest... Jemi duke u përgatitur tashmë tri vite dhe tash erdhi momenti, edhe pse ekipi është i përgjysmuar prapëseprapë motivi nuk ka rënë dhe jemi të gatshëm psikikisht, shpirtërisht dhe fizikisht që të përballemi me të gjitha vështirësitë që na presin”, ka deklaruar Nazmi Hasanramaj, para nisjes në Aeroportin e Prishtinës

Familjarë dhe miq ishin mbledhur të hënën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës për të përcjellë alpinistët Nazmi Hasanramaj e Arineta Mula, që morën rrugën për të realizuar synimin më të madh të jetës, pushtimin e Mount Everestit, majën më të lartë në botë. Hasanramaj dhe Mula përfaqësojnë ekspeditën e përgjysmuar të Kosovës, përkatësisht të Klubit Alpin Prishtina. Në mesin e atyre që kishin dalë për t’u përshëndetur me Hasanramajn e Mulën, ishin edhe dy anëtarët tjerë të KAP-it, Qëndrim Sopi e Haki Hasanramaj, të cilët është dashur të jenë pjesë e ekspeditës, por mungesa e fondeve ua pamundësoi një gjë të tillë. Pushtimi i Mount Everestit ka qenë ëndrra dhe projekti jetësor i alpinistëve të KAPit, për të cilën janë përgatitur tash e tre vjet. 

Hasanramaj dhe Mula kanë marrë rrugën për në kryeqytetin e Nepalit, Kathmandu, nëpërmjet Stambollit, ndonëse në mungesë të mjeteve, por të bindur se ato do t’i kenë në xhirollogaritë e tyre gjatë ditës së martë (sot). Kjo për shkak se të hënën, fondi i caktuar nga Departamenti i Sportit pranë MKRS-së nuk u është bartur. 

“Në mëngjes do t’i kemi në llogari, është një problem teknik që ka ndodhur në ministri dhe mjetet do të dalin”, ka thënë Hasanramaj. “Qëllimi i ekspeditës është ngritja e flamurit të Kosovës dhe theksimi i shtetësisë sonë në Everest”. I pyetur për rrezikun që ngërthen kjo ekspeditë, ai ka thënë se një gjë të tillë as që e kanë diskutuar. 

“Për rrezikun nuk kemi biseduar, pasi për këtë punë jemi stërvitur dhe besoj se gjithçka është e menaxhueshme”, ka thënë ai. 

Kjo është hera e parë që një ekspeditë nga Kosova niset për ta pushtuar majën e Mount Everestit (8.848 metra). Në të vërtetë, Kosova është shteti i vetëm në Evropë që nuk e ka pushtuar Mount Everestin. Kjo ekspeditë, për të realizuar synimin jetësor - pushtimin e Mount Everestit do të zgjasë plot 67 ditë. 

“Është ngjitja më e rëndësishme e jetës sonë dhe e kam theksuar edhe më herët, më shumë ka komponentë shtetërorë sesa personalë. Jemi duke u përgatitur tashmë tri vite dhe tash erdhi momenti, edhe pse ekipi është i përgjysmuar prapëseprapë motivi nuk ka rënë dhe jemi të gatshëm psikikisht, shpirtërisht dhe fizikisht që të përballemi me të gjitha vështirësitë që na presin”, ka shtuar Hasanramaj. Ka dhënë një porosi edhe për dy anëtarët tjerë që nuk realizuan shkuarjen në Nepal. “Le të kenë durim, se Mount Everesti është aty. Ne do të bëjmë çmos për të siguruar fonde në të ardhmen edhe për këta dy, pasi në njëfarë mënyre janë më të përgatitur se ne”. 

Si Hasanramaj, ashtu edhe Mula është optimiste për pushtimin e Everestit. Ajo ka pranuar se janë plotësisht të gatshëm për këtë sfidë, por në anën tjetër ka shprehur keqardhje për lënien e dy anëtarëve në Prishtinë në mungesë të fondeve. 

“Nuk është vetëm një sfidë jona, pasi po shkojmë të shënojmë një ngjarje për Kosovën. Po ndihemi keq që po shkojmë të përgjysmuar si ekip, po shpresoj që ky do të jetë një mësim për të gjitha institucionet e Kosovës që në të ardhmen mos të kemi ndarje të tilla. Do të mundohemi ta prezantojmë gjithë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi Mula. 

Përderisa asnjë nga zyrtarët shtetërorë nuk kishte dalë për të përcjellë ekspeditën e parë të Kosovës drejt pushtimit të Everestit, në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetari i Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës, Arben Lila. Ai u paraqit pavarësisht akuzave publike për cungimin e fondeve që një ditë më herët ka marrë nga dy alpinistët e KAP-it, të cilët nuk mundën të jenë pjesë e ekspeditës. Pasi që Lila iu afrua atyre për t’i përshëndetur, njëri nga ta i revoltuar e goditi atë me shuplakë në fytyrë. 

Pas incidentit, Lila tha që ardhja e tij në Aeroport ka qenë gjest sportiv, pavarësisht akuzave që ka marrë. Shtoi që pret ngritjen e flamurit në Everest. 

“Ne erdhëm t’i përcjellim, ishte një gjest sportiv, ndërkohë e patë atë që ndodhi. Jemi bjeshkatarë dhe e përkrahim gjithë komunitetin. Pres që të ngrihet flamuri i Kosovës dhe shpresoj që të tre të shkojnë mirë dhe të kthehen mirë, pasi ky është qëllimi”, ka deklaruar ai. Ka dhënë versionin e tij edhe rreth çështjes së ndarjes së fondeve. 

“Kryesia e Federatës ka vendosur në mbledhjen e saj ku ishin të pranishëm edhe Klubi Alpin Prishtina që të mbështeten gjashtë bjeshkatarë, ndërkohë Qeveria i ka ndarë 60 mijë euro që nuk mjaftojnë për këtë çështje. Kjo ka bërë që të tërhiqen tre bjeshkatarë, dy të klubit Prishtina dhe një tjetër i Sharrit. Kanë mbetur vetëm tre, dy të Prishtinës dhe një e Shoqërisë Bjeshkatare, Pashtriku”, ka thënë ai. 

Në një deklaratë publike të dielën, dy alpinistët Qëndrim Sopi e Haki Hasanramaj, e kanë akuzuar Federatën që ka pamundësuar nisjen edhe të njërit prej tyre për në Nepal. 

“Puna dhe përpjekjet tona kanë nxitur reagime dhe komplote të ulëta, të cilat nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë pjesë e Alpinizmit në Kosovë. Për t’i keqësuar gjërat, këto veprime (me ose pa dashje, nuk ka rëndësi) vijnë nga ajo që duhet të jetë Shtëpia e Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit, nga Federata”, thuhet ndër të tjera në qëndrimin publik të dy alpinistëve. Ata kanë vlerësuar të jetë goditur ekspedita dhe të jenë rrezikuar vetë alpinistët. 

Të dielën Sopi e ka dhënë versionin e tij për situatën e krijuar. Sipas tij, projekti i KAP-it për përkrahje financiare është dërguar edhe në Federatë nga Klubi Alpin Prishtina dhe më pas federata ka kërkuar përkrahje nga Departamenti i Sportit edhe për dy alpinistë të dy klubeve të tjera, pos për katër alpinistët e Prishtinës. Ai ka treguar se një alpiniste tashmë është nisur për në Himalaje si pjesë e një ekipi të Shqipërisë dhe nuk kishte nevojë për përkrahje, ndërsa alpinisti tjetër nuk ishte shumë i interesuar për pushtimin e Everestit në këtë vit. Sopi ka vlerësuar se kanë “rënë në grackë të Lilës” dhe si pasojë është pamundësuar nisja e edhe një pjesëtari të KAP-it. 

Pushtimi i majës së Everestit është ëndrra më e madhe jo vetëm e të gjithë alpinistëve, por edhe shumë njerëzve në botë. Pothuajse për çdo vit, bëhen rreth një mijë përpjekje për ta pushtuar Everestin. Ngjitja në Everest është e mundur nga dy anë, nga Nepali në jug dhe Tibeti në veri. Delegacioni Kosovës fillimisht do të qëndrojë disa ditë në Kathmandu, në mënyrë që të pajiset me rekuizitat e nevojshme para se të marrë rrugën për në Lukla. Me datën 1 prill, nga Lukla do të nisë ngjitja në Everest, që do të jetë graduale për shkak se adaptimi me kushtet është shumë i nevojshëm. Në ditën e 12-të të ekspeditës, ekipi do të arrijë në Kampin Bazë të Everestit me lartësi mbidetare prej 5.364 metrash. 

Mount Everesti është majë e rrezikshme dhe ka vdekshmëri mjaft të lartë. Ka faktorë të shumtë që e shkaktojnë vdekjen e alpinistëve: orteku i borës, akullit dhe shkëmbinjve, i ftohti ekstrem, mungesa e oksigjenit, ataku në zemër e shumë faktorë të tjerë. I pari që ka ngjitur majën e Everestit është Tenzing Norgay Sherpa në vitin 1953 së bashku me Edmond Hillaryn. Deri në muajin mars të vitit 2012, Everestin e kanë pushtuar 5.656 persona, kurse gjatë tentimeve kanë mbetur 223 të vdekur.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme