Federata dhe KAP-i të hapur për të sqaruar financimin e ekspeditës

Federata dhe KAP-i të hapur për të sqaruar financimin e ekspeditës

30 mars 2017 20:43

Një ditë pas nisjes së ekipit të përgjysmuar të Klubit Alpin Prishtina (KAP) drejt Nepalit për të pushtuar majën më të lartë në botë, Everest, dhe incidentit që ndodhi në Aeroportin e Prishtinës, ka reaguar Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK). 

Federata ka njoftuar se ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, ku është dënuar ngjarja në Aeroport, ku kishte shkuar kryetari i saj, Arben Lila, për të përcjellë nisjen e alpinistëve dhe pasi u është afruar t’i përshëndesë dy anëtarët e KAPi, që kishin mbetur jashtë ekspeditës, nga njëri prej tyre ka marrë një shuplakë. Ky incident ka ndodhur pasi dy alpinistët, që kishin mbetur jashtë e kanë akuzuar Lilën se ka keqpërdorur projektin e KAP-it, gjë që, sipas tyre, ka çuar në cungimin e fondeve dhe ka pamundësuar nisjen edhe të njërit prej tyre për në Nepal. 

Federata në reagimin e saj thotë se KAP-i ka qenë në dijeni dhe pjesëmarrës në të gjitha vendimet e Federatës që lidhen me projektin "Everest". Po ashtu, thuhet se FBAK-u nuk ka marrë asnjë informatë për ndonjë pakënaqësi eventuale nga anëtarët e KAP-it lidhur me mënyrën e ndarjes së fondeve deri një ditë para nisjes. 

FBAK-u e kishte dorëzuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve projektin në vlerë prej 240 mijë eurosh për përkrahjen e gjashtë bjeshkatarëve për në Everest, por në fund i janë ndarë vetëm 60 mijë euro. Sipas Ministrisë, nga 10 mijë euro për gjashtë alpinistë. 

Nga kjo shumë, fare në fund, 40 mijë euro janë ndarë për dy anëtarët e KAP-it dhe 20 mijë për anëtaren e Pashtrikut, Flutura Ibrahimi, që ka kohë që është nisur për Nepal me një grup nga Shqipëria. Për mungesë të mjeteve, krahas dy anëtarëve të KAP-it, është tërhequr edhe Abdurrahim Abdushi nga Shoqëria Bjeshkatare Sharri. 

Të mërkurën, një deklaratë e ka bërë edhe udhëheqësi i KAP-it, Nazmi Hasanramaj, i cili së bashku me Arineta Mulën gjenden në Nepal dhe po përgatiten për pushtimin e Mount Everestit (8.848 m\lmd), pa dy anëtarët e tjerë të grupit, Haki Hasanramaj dhe Qëndrim Sopi. 

Ai ka thënë se KAP-i është anëtar i Federatës dhe se do të bëjë çmos që kjo federatë të zhvillohet. Ka shtuar se u janë gëzuar sukseseve të saj, mirëpo ka vlerësuar se veprimet e fundit të Federatës nuk janë në kuadër të misionit primar të saj. “Dhe patjetër se do t’i kundërshtojmë”, ka shkruar ai. 

"KAP-i e ka dorëzuar projektin në të gjitha institucionet relevante. Ka lobuar për të dhe e ka publikuar në të gjitha mediumet", thuhet në deklaratën e Hasanramajt. Ai ka përmendur katër pika që, sipas tij, çojnë tek e gjithë e vërteta. 

"1. Federata e ka marrë të njëjtin projekt dhe ka kërkuar fonde për numër më të madh personash; 2. Nga ky veprim unë jam vënë para aktit të kryer dhe nuk kam pasur mundësi të diskutoj më shumë rreth këtij vendimi arbitrar; 3. Nga dy personat që janë shtuar, njëri është Abdurrahim Abdushi, ndër alpinistët më të shkëlqyer që unë njoh, dhe Uta Ibrahimi; 4. Në ditën e nisjes për në Nepal, Federata e ka kushtëzuar kalimin e mjeteve të Ministrisë në destinimin e tyre për ekspeditë, me dhënien e deklaratave për tërheqjen e dy alpinistëve të KAP-it", thuhet në reagimin e KAP-it. Sipas Hasanramajt, kjo ka zhgënjyer dhe lënduar anëtarët e KAP-it, sidomos dyshen që mbeti në Prishtinë. Ai ka shkruar se KAP-i është i interesuar që të zbardhet i tërë rasti. 

“Klubi Alpin Prishtina është i vendosur që këto ngjarje të sqarohen dhe akterët të marrin përgjegjësinë, me të vetmin qëllim që të pamundësohet dëmtimi i mëtejshëm i konceptit të bukur të alpinizmit", ka shkruar Hasanramaj. 

Në anën tjetër në komunikatën e Federatës është folur edhe për raportimet në media që janë bërë pas akuzave që kanë drejtuar kah kryetari i saj dy anëtarët e KAP-it.

"Më 27 mars 2017, kur është nisur ekipi i KAP-it dhe kur janë publikuar informatat në media për keqpërdorim të mjeteve, ato fonde ende nuk kanë qenë të transferuara në llogarinë e FBAK-ut. Për hir të transparencës, mjetet janë derdhur në llogari të FBAK-ut me datë 28 mars 2017. Në të njëjtën ditë, mjetet e dedikuara për dy anëtarët (Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula) janë transferuar në llogari të KAP-it. Mjetet për anëtarin e tretë (Flutura Ibrahimi) transferohen në llogarinë e ShBA Pashtriku", ka njoftuar FBAK-u. Edhe Federata thotë se është e gatshme që të vërë në dispozicion dokumentacionin dhe kërkon hetime për “shpifje” dhe sulm fizik ndaj kryetarit të saj. 

Ditët para nisjes së ekipit nga Kosova janë përshkuar me akuza ndaj mënyrës se si e ka menaxhuar Lila këtë nismë brenda Federatës, që janë bërë nga anëtarët e KAP-it, por ai vetëm të martën pasdite është prononcuar rreth kësaj çështjeje, duke mos qenë i qasshëm për mediat me kundërargumentet e tij kur është raportuar për akuzat e alpinistëve. 

Mount Everest është ëndrra e gati gjithë alpinistëve dhe nga Evropa mungon vetëm flamuri i Kosovës në majën më të lartë në botë. Por, pas pak javësh, edhe i Kosovës pritet të valojë në 8.848 metra lartësi mbidetare. Falë KAP-it

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme