Dita 36 e ekspeditës për në Everest, synohet Kampi 3 (C3)

Dita 36 e ekspeditës për në Everest, synohet Kampi 3 (C3)

01 maj 2017 13:47

Pas aksidentit vdekjeprurës që e përjetoi alpinisti zviceran Ueli Steck, anëtarët e ekspeditës së Kosovës për në Everest, Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, janë lajmëruar me porosi nga Nepali, duke treguar për hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrin drejt synimit të majës më të lartë në botë, transmeton Koha.net.

Hasanramaj shkroi:

“Ueli Steckun e takuam tre herë gjatë aklimatizimit në Khumbu dhe në C2.

Ishte modest dhe i buzëqeshur, ishte shume i përgatitur dhe i motivuar, por masivi i Everestit ka shumë të papritura!. Rënia e tij afër Nupches na ka pikëlluar shumë (dhe nuk është aksidenti i parë për këtë vit), por motivi ynë është i qartë: ngjitja e flamurit të Kosovës në Mount Everest.

Pavarësisht ndëshkimeve që na kërcënojnë nga ky masiv gjigant, ne jemi pjesë e komunitetit prej 41 ekipeve ndërkombëtare, prej 370 alpinistësh dhe shumë sherpash... e që do ta tentojmë kulmin e botës. Ky numër alpinistesh dhe sherpash do te thotë: bllokadë në litarët e sipërm, rrëzime dhe dobësim i litarëve, kaos alpin ne Hillary Step dhe South Col, si dhe rreziqe të tjera.

Pakot e shtrenjta të alpinistëve ndërkombëtarë e rrisin shume sigurinë për klubet e tyre, janë më të ushqyer dhe më të pushueshëm; kanë linja më të sigurta ajrore për tërheqje... por në ditën e tentimit do të jemi në të njëjtët litarë, në kurrizoren e Hillaryt, në dorë të Everestit”.

Anëtarët e KAP-it informojnë se janë mirë me shëndet. Duke e marrë parasysh buxhetin e kufizuar me të cilin disponon ekspedita (madje ende në pritje të kontributeve nga Ministria e Jashtme, Komuna e Prishtinës dhe Presidenca), janë duke bërë përpjekje maksimale që t’i organizojnë lëvizjet në formë sa më racionale. Në këto përpjekje, u dalin në ndihmë dy sherpa, të cilët gjatë gjithë kohës kujdesen për sigurinë e tyre me lidhjen e litarëve dhe mbajtjen e oksigjenit në rast bllokimi të frymëmarrjes.

Ndërkohë, kushtet klimatike janë përkeqësuar dhe dimri duket të jetë kthyer. Megjithatë, përgatitjet për pushtimin e Everestit nuk do të reshtin.

Brenda disa ditësh, ekipi do ta nis fazën e dytë aklimatizimit, që nënkupton ngjitjen në C3 (Muri Lhotse në 7162 metra lartësi mbidetare). Ngjitja duhet të bëhet pa oksigjen, të cilin edhe ashtu nuk e kanë përdorur asnjëherë deri më tani.

Plani për aklimatizim nënkupton qëndrim jo më të gjatë se gjysmë ore në lartësinë prej 7200 metrash, dhe kthimin e tyre gradual në kampet 2 e 1 (C2 e C1) si dhe, në Kampin Bazë, ashtu që të trupi të aklimatizohet e të kthehet në gjendje normale.

Në foto: Kampi 2 (C2) dhe shkëmbinjtë veriorë që ia morën jetën Ueli Steckut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme