Euro 2020

Arteta përkrah Sakan pas fyerjeve raciste

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, thotë se “karakteri i fortë” i Bukayo Sakas, do ta ndihmojë atë të injorojë abuzimin racist që e përjetoi pas humbjes së Anglisë në finalen e “Euro 2020”. Saka duroi talljet e ndyra raciste në mediat sociale, pasi humbi penalltinë që vulosi fitoren 3:2 të Italisë ndaj Anglisë në finalen e së dielës në “Wembley”.

Marcus Rashford dhe Jadon Sancho gjithashtu morën mesazhe abuzive pasi nuk arritën të realizojnë nga penalltia.

Por, Arteta ka folur me Sakan dhe është i bindur se 19-vjeçari nuk do të preket.

“Po, kam folur. Mendoj, të gjithë i kemi folur dhe dërguar mesazhe. Ai do të jetë mirë. Ai është një karakter i fortë. Ai ka marrë shumë dashuri dhe mbështetje nga futbolli botëror, pasi nuk e meriton atë që i kanë bërë”, ka thënë Arteta.