Euro 2020

Kyle Walker është pjekur dhe shndërruar në mbrojtësin kryesor të Anglisë

Si anëtari më i vjetër i skuadrës së Anglisë, Kyle Walker do të ketë nevojë për çdo minutë relaksimi përpara finales së Evropianit kundër Italisë. Përderisa Raheem Sterling dhe Jadon Sancho u kthyen vonë të enjten mbrëma në bazën e ekipit anglez pas një dite pushimi, Walker pati plane të tjera. Ai të enjten mbrëma nuk doli, por preferoi të qëndronte në bazën e ekipit dhe të luante video-lojëra me portierin Jordan Pickford. Walkerit do t’i duhet të pushojë mirë për të dielën, pasi ishte çelësi për Anglinë që arriti finalen e saj të parë në 55 vjet, me Italinë që qëndron midis skuadrës dhe titullit të Kampionatit Evropian. Duke e parë skuadrën e re të entuziazmuar dhe lojtarët e etur për ta dëshmuar veten me fanellën e Anglisë, 31-vjeçari Walker kujton kohërat e zymta që i ka përjetuar me Anglinë pas 60 paraqitjeve gjatë një dekade.

“Kur e vesh fanellën e Anglisë, sidomos në katër vjetët e fundit, kjo do të thotë diçka”, tha Walker, mbrojtësi i krahut të djathtë.

Derisa flet për Anglinë, ai nuk mund t’i shmangë momentet zhgënjyese. Walker mendon përsëri për humbjen që Anglia e përjetoi në “Euro 2016” nga Islanda në 1/8 e finales.

“Ende sot e kësaj dite më ndjek ajo humbje e Islandës që na eliminoi shumë herët para pesë vjetësh. Ky është momenti më i ulët i karrierës time”, pranoi Walker.

Megjithatë, situata ishte krejtësisht ndryshe të mërkurën mbrëma, kur Anglia triumfoi 2:1 ndaj Danimarkës pas vazhdimeve dhe siguroi biletën për finale, që është e para në një Evropian dhe e dyta në një turne të madh pas triumfit në Botërorin e vitit 1966. Kjo fitore në gjysmëfinale të “Euro 2020” siguroi që një turne tjetër të mos mbaronte për Anglinë në këtë fazë, sikurse në Botërorin e vitit 2018.

“Unë mendoj se tani ne jemi shumë më të pjekur”, tha kampioni i Premier Leagues me Manchester Cityn. “Shumë prej nesh kanë fituar shumë më tepër gjëra. Shumë prej nesh kanë luajtur në shumë ndeshje të mëdha dhe kjo na garanton se mund të luajmë më mirë. Edhe tifozët po e kuptojnë”.

Një moment del edhe nga ndeshja me Danimarkën, që nuk i ka ikur Walkerit.

“Të mërkurën ishte hera e parë që ndoshta kam dëgjuar tifozët e Anglisë duke bërtitur ‘Ole, Ole’, sepse po e mbanim topin”, thotë ai. “Kjo ka të bëjë me menaxhimin e lojës. Tani le ta mbajmë topin dhe të sigurohemi që të mos bëjmë ndonjë budallallëk në finale. Mendoj se jemi gati për këtë ndeshje, pasi kemi mësuar shumë gjatë katër vjetëve të fundit”.

Walker e ka parasysh se Anglia e ka rastin e artë për të triumfuar në “Euro 2020” dhe thotë se ka përparësinë pasi luan në “Wembley”. Sipas tij, kjo do të ishte madhështore duke pasur parasysh se do të ishte trofeu i parë pas vitit 1966. Dhe ndoshta është një pozicion në të cilin Walker nuk e imagjinonte se do të ndodhej, pasi u la jashtë ekipit në vitin 2019 nga përzgjedhësi Gareth Southgate dhe humbi ndeshjet e muajit shtator, tetor dhe dhjetor. Walker ka treguar shkathtësinë e tij duke luajtur në mbrojtje me tre apo katër lojtarë, duke përfituar nga udhëzimet e trajnerit spanjoll Pep Guardiola në klubin e tij Manchester City.

“Thjesht, kjo është bërë loja ime gjatë viteve të fundit, veçanërisht duke luajtur nën urdhrat e Pepit te Manchester City”, e pranoi Walker. “Mendoj se njohuritë për lojën time janë përmirësuar dukshëm. Unë nuk po e konsideroj veten si lider i mbrojtjes tek Anglia, por mendoj se jam bërë shumë më i mençur në marrjen e vendimeve dhe kur është mirë që të shkoj përpara dhe kur mund ta përdor energjinë time diku tjetër. Dhe kjo është ajo që unë mund t'ia ofroj ekipit”.

Dhe Walker shpreson të qëndrojë titullar edhe për ca kohë tek Anglia, pasi insiston se ka ende për të dhënë, pavarësisht moshës së tij.

“Unë mund të mos jem i talentuar teknikisht”, tha Walker. "Por unë garantoj se, përkundër që jam 31 vjeç, do të vrapoj akoma më shumë se kushdo për ta ruajtur vendin tim në ekip”.

E Walker shpreson se do të ketë pak pushim pas finales së dielës. Mirëpo, pushimin dëshiron ta bëjë si kampion i Evropës.

“Unë dua të fitoj finalen kundër Anglisë”, tha ai. “Unë kam luajtur nga një ndeshje në çdo tri ditë për gati një vit dhe jam gati edhe për këtë të fundit, që pres ta fitojmë. Pas finales do të doja pak pushime, por si kampion”.