Euro 2020

Spanja synon ta arsyetojë rolin e favorites në çerekfinalen e parë

Spanja po merr pjesë në turne të madh futbolli me një lojtar krijues dhe të talentuar teknikisht të Barcelonës. Varet prej pasimeve në mesfushë dhe goditjeve të tij befasuese nga distanca.

Është vetëm 18-vjeçar, por Pedri Gonzalez është shndërruar në lojtar të domosdoshëm te Spanja në “Euro 2020”.

Madje, përzgjedhësi Luis Enrique ia ka dhënë atij “çelësat” e mesfushës, reparti që dikur kontrollohej nga Xavi Hernandez e Andres Initesta. Krahasimet janë të pashmangshme dhe ndoshta të justifikuara. Ato do të forcohen edhe më shumë nëse Pedri udhëheq Spanjën drejt titullit në Kampionatit Evropian, ashtu siç bënë Xavi e Iniesta në vitet 2008 dhe 2012.

Sigurisht që Zvicra, kundërshtarja e Spanjës në çerekfinale, do të jetë e fokusuar për të mos lejuar dirigjentin e mesfushës spanjolle të shfaqë potencialin që ka. Dueli çerekfinal mes Zvicrës dhe Spanjës zhvillohet të premten prej orës 18:00 në St. Petersburg.

Pedri, i cili luan në anën e majtë të mesfushës te Spanja, po luan në turneun e tij të parë të madh. Ai e bëri debutimin e tij në muajin mars dhe në “Euro 2020” është lojtari me më së shumti raste të krijuara – 10. Gjithashtu ka edhe më shumë pasime (233) në pjesën e kundërshtarit se çdo futbollist tjetër. Ai është futbollisti më i ri spanjoll që ka luajtur në Evropian dhe më i riu në përgjithësi që ka luajtur në fazën e nokautit. Luajti me 18 vjet e 215 ditë kundër Kroacisë në 1/8 e finales, ndeshje që Spanja e fitoi 5:3 pas vazhdimeve.

Pedri është njëri prej dy futbollistëve te Spanja që nuk është zëvendësuar në asnjë ndeshje të Evropianit. Megjithatë, Pedri mban edhe një rekord tjetër në Evropian. Ai shënoi autogolin prej distancës më të madhe në histori të këtij turneu, në duelin ndaj Kroacisë, kur e ktheu topin prapa prej 45 metrave te portieri Unai Simon, që nuk arriti ta kontrollojë.

“Pedri është një lojtar unik”, tha Enrique përpara se të fokusohej te përballja me Zvicrën.

Pikërisht mesfusha pritet të jetë arma më e fortë e Spanjës kundër Zvicrës, duke pasur parasysh se zviceranët do të jenë pa kapitenin Granit Xhaka, i suspenduar. Përzgjedhësi i Spanjës, Enrique, pranoi se ekipin e tij e pret një ndeshje e komplikuar kundër Zvicrës. Zvicra avancoi në çerekfinale të “Euro 2020”, pasi eliminoi Francën në 1/8 e finales pas penalltive.

“Do të jetë ndeshje shumë e komplikuar. Zvicra luan si grup, ndërsa për mënyrën se si sulmon dhe si mbrohet është shumë ekip i mirë. Pres ndeshje shumë të vështirë për ne”, ka thënë Luis Enrique të enjten në konferencën për shtyp. “Realiteti është që Zvicra ka avancuar tutje dhe asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Për më mirë apo më keq, ne e njohim shumë mirë njëra-tjetrën për shkak të ndeshjeve të fundit në Ligën e Kombeve”.

Denis Zakaria, mesfushori defensiv i Borussia Moenchengladbachut, pritet ta zëvendësojë Xhakën te Zvicra. Mungesa e Xhakës do të jetë e madhe dhe te Zvicra e pranojnë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë kundër Spanjës. Spanja nuk e nisi mirë Evropianin, por në dy ndeshjet e fundit shënoi dhjetë gola.

“Gjëja që dua ta shoh në ndeshjen kundër Spanjës është që secili lojtar të japë 10 për qind më shumë dhe kjo nuk është vetëm për ta zëvendësuar Granit Xhakën, por është ajo që nevojitet për ta fituar këtë ndeshje. Unë jam i bindur se si ekip ne kemi shumë liderë të tjerë në fushë dhe këtë do ta tregojmë”, është shprehur përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkoviq. “Spanja është një ekip teknik dhe që punon shumë. E njohim mirë prej ndeshjeve të kaluara ndaj saj. Spanja është favorite, por ne duam ta arrijmë qëllimin dhe të ecim përpara”.

Krahas Zvicrës, që është e detyruar të bëjë ndërrime në formacion, edhe te Spanja pritet të ketë ndryshime. Sulmuesi i krahut, Dani Olmo, pritet të kthehet titullar, pasi në ndeshjen e fundit kundër Kroacisë u inkuadrua nga banka e rezervistëve dhe ofroi dy asistime vendimtare.

Në fakt, në këtë ndeshje, historia e favorizon Spanjën përballë Zvicrës. Spanjollët kanë humbur vetëm njëherë në 22 duelet e luajtura kundër Zvicrës, e cila pati triumfuar 1:0 në fazën e grupeve të Botërorit “Afrika e Jugut 2010”, turne që në fund u fitua nga “La Roja”.