Euro 2020

Me gjithë mungesën e Xhakës, Petkoviqi beson se Zvicra do ta eliminojë Spanjën

Selektori i Zvicrës, Vladimir Petkoviq, ka marrë vlerësime të mëdha pasi përfaqësuesja që drejton arriti në çerekfinale të “Euro 2020”. Zvicra për herë të parë luan në çerekfinale të Evropianit, kurse në Botëror për herë të fundit ishte në këtë fazë në vitin 1954.

Në çerekfinale të premten prej orës 18:00 në St. Petersburg, Zvicra takohet me Spanjën. Zvicra do të jetë pa kapitenin e suspenduar, Granit Xhaka, që kishte shkëlqyer në ndeshjen e kaluar ndaj Francës.

Por edhe në mungesë të Xhakës, Petkoviqi është optimist se Zvicra do ta kalojë Spanjën dhe do të arrijë në gjysmëfinale, që do të ishte sukses i jashtëzakonshëm. Ai është optimist se lojtarët e tjerë do ta kompensojnë mungesën e liderit të mesfushës.

“Duhet të jemi të uritur për të arritur në raundin tjetër. Nga kjo pikëpamje nuk mund të them se jam i lumtur pasi për mua hapi i ardhshëm është gjithnjë më i rëndësishmi. Ne duam të kalojmë në raundin tjetër, ani pse përballemi me njërën prej favoriteve, Spanjën”, ka thënë Petkoviqi të enjten, pasi është pyetur për suksesin e deritashëm në Evropian.

Ka pasur festë emocionale pas fitores së vështirë ndaj Francës, kampiones së botës.

“Natyrisht se emocionet dhe kënaqësia duhen, por më pas lojtarët duhet t’i lënë anash. Ne duhet të shfaqim cilësinë në fushë dhe jam optimist se do të bëjmë këtë”, ka theksuar Petkoviq.

Natyrisht mbulimi i Xhakës nuk do të jetë punë e lehtë për Zvicrën. Por selektori mbetet optimist.

“Një lojtar si Xhaka mund të na mungojë shumë, por ajo që dua të shoh ndaj Spanjës është që të gjithë të japin pak më shumë. Pra jo vetëm për ta mbuluar atë, por edhe për ta mposhtur Spanjën. Duam të avancojmë, me gjithë respektin e madh që kemi për kundërshtarin. Xhaka do të ketë një rol tjetër, por e gjithë skuadra do të mbështesë lojtarët në fushë. Natyrisht, kur një lojtar me aq ndikim si Xhaka mungon, do të thotë se secili në fushë duhet të japë 10 për qind më shumë. Lojtarët në fushë duhet të vrapojnë, të jenë luftarakë dhe jam i bindur se do ta shohim nesër këtë”.

Petkoviqi ka theksuar se mënyra e përgatitjes së skuadrës nuk dallon prej asaj për ndeshjen ndaj Francës. Ai thotë se festa ka marrë fund tashmë dhe se është koha për të ecur para, për të krijuar emocione të reja. Sipas Petkoviqit, te Zvicra duhet të besojnë dhe të tregojnë se duan të avancojnë përtej ndeshjes ndaj Spanjës.

“Spanja është një ekip teknik dhe që punon shumë. E njohim mirë prej ndeshjeve të kaluara ndaj saj. Spanja është favorite, por ne duam të arrijmë qëllimin dhe të ecim përpara”, ka thënë selektori zviceran.