Euro 2020

Shevchenko, ish-ylli i Ukrainës që po e kërkon suksesin në “Euro 2020” si trajner

Ukraina e Andriy Shevchenkos mund të zhgënjehet nga fakti që arriti për herë të parë në fazën e nokautit të Kampionatit Evropian, dhe atë falë fatit të mirë. Por përpara ndeshjes së 1/8 së finales kundër Suedisë, trajneri 44-vjeçar mund të marrë frymëzim nga një takim i së shkuarës kundër të njëjtit kundërshtar gjatë karrierës së tij të shkëlqyeshme si lojtar.

Ukraina humbi 3:2 ndaj Holandës për të filluar Evropianin në Grupin C, pastaj arriti një fitore të rëndësishme 2:1 ndaj Maqedonisë së Veriut, por u mund për vendin e dytë nga Austria pas humbjes 1:0 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Pas një pritjeje të shqetësuar dyditore për të parë nëse do të kualifikoheshin si një nga katër skuadrat më të mira të vendit të tretë, Ukraina i detyrohej Spanjës, e cila e shkatërroi Sllovakinë në Grupin E dhe njëkohësisht e dërgoi ekipin e Shevchenkos në raundin tjetër. Pesë vjet pasi mori përsipër detyrën e përzgjedhësit pas dështimit të Ukrainës për të shënuar një gol të vetëm në “Euro 2016”, Shevchenko ka rinovuar ekipin, duke e forcuar atë në skenën e madhe. Por ai e përshkroi lodhjen e lojtarëve të tij si arsyen kryesore për humbjen ndaj Austrisë.

“Ndeshja ishte fizikisht e vështirë, dhe në çaluam në këtë aspekt për shkak të lodhjes”, tha Shevchenko, pas ndeshjes në të cilën një barazim do të kishte mjaftuar që Ukraina të përfundonte e dyta në grup. "Unë pashë që ekipit thjesht i mungonte forca. Ne u përpoqëm të forcoheshim me zëvendësime, por ishte pothuajse e pamundur të bëhej”.

Vërejtjet ngritën dyshimet në shtëpi, ndërsa ekipi i Ukrainës ka gëzuar kushte të preferuara për përgatitjet për “Euro 2020”, të cilat disa i shpjegojnë me një lidhje të veçantë midis Shevchenkos dhe shefit të Federatës së Futbollit të Ukrainës. Mediat lokale thonë se Shevchenko është kumbari i vajzës së presidentit të federatës, Andriy Pavelkos. Federata në muajin prill ndriçoi vendimin për të tkurrur kampionatin e brendshëm të këtij sezoni për një javë, në mënyrë që ekipit kombëtar t’i jepej kohë shtesë për stërvitje përpara Evropianit, një lëvizje kjo e pazakontë për një ligë evropiane. Federata ukrainase ishte gjithashtu nën kritika të mëdha në vitin 2016 kur Shevchenko, ish-ylli i Dinamo Kievit dhe Milanit, mori detyrën e përzgjedhësit të Ukrainës nga Mykhaylo Fomenko. Për Shevchenkon, ky ishte roli i parë si trajner. Kritikët theksuan mungesën e përvojës së Shevchenkos dhe argumentuan se si ndihmës i Fomenkos, edhe ai ishte pjesërisht përgjegjës për Ukrainën që doli nga “Euro 2016” në Francë, pasi humbi të tri ndeshjet në fazën e grupeve. Por në grupin e saj kualifikues për “Euro 2020”, Ukraina çuditërisht përfundoi e pamposhtur në pozitën e parë, duke mposhtur kampionen në fuqi të Evropës, Portugalinë 2:1 në një ndeshje kryesore në Kiev. Përpara ndeshjes të së martës në Glasgow, suksesi i ekipit që mundi Suedinë e Zlatan Ibrahimoviqit 2:1 në Kiev në vitin 2012, dhe që ai ishte kapiten, mund të frymëzojë Shevchenkon dhe futbollistët e tij për të arritur suksese të reja. Sulmuesi më i mirë i Ukrainës ishte në muzg të karrierës së tij kur shkoi në “Euro 2012” , por ishin dy golat e tij në ndeshjen hapëse që dërguan mijëra tifozë vendas të pranishëm në “Olympic Stadium” në eufori. Pavarësisht nga goli i tij i 47-të dhe 48-të, i fundit për Shevchenkon para pensionimit, Ukraina dështoi të përparojë nga faza e grupeve si bashkënikoqire e Evropianit me Poloninë, duke humbur dy ndeshjet e tjera në grup, Franca dhe Anglia. Tani liderët aktualë të Ukrainës në fushë, mbrojtësi i Manchester Cityt, Oleksandr Zinchenko dhe anësori i ringjallur i West Ham Unitedit, Andriy Yarmolenko, duhet të japin më të mirën nga vetja për të vazhduar aventurën e ekipit në këtë turne.

“Pajtohem me disa kritika. Por unë dua të kërkoj nga të gjithë të sjellin pak më shumë pozitivitet në ekip, sepse ende asgjë nuk kemi arritur”, tha Yarmolenko, i cili shënoi dy nga katër golat e Ukrainës në fazën e grupeve. “Ne do të përpiqemi të luajmë futbollin tonë, të japim maksimumin ndaj Suedisë”.

Në kulmin e tij si lojtar, Shevchenko ishte i njohur për kundërsulmet e tij të rrufeshme dhe përfundimin klinik. Ai ishte po aq i frytshëm me Dinamo Kievin dhe Milanin ashtu siç ishte për Ukrainën, për të cilën shënoi 48 herë në 111 ndeshje të luajtura. Me Milanin, ai fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2003, si dhe titullin e kampionit në Serie A në vitin 2004, kur edhe e siguroi “Topin e Artë”.