Euro 2020

Franca synon kalimin tutje, Zvicra t’i japë fund serisë negative në fazën nokaut

Triumfi në grupin më të vështirë në Kampionatin Evropian nuk ishte befasi e madhe për kampionen e botës. Megjithatë, vetëm një fitore në atë grup mund të vlerësohet befasi.

Por, fitorja i mjaftoi Francës të përfundonte e para në Grupin F dhe ta siguronte përballjen kundër Zvicrës të hënën, në një të tetën e finales të Euro 2020. Ndeshja Franca – Zvicra luhet në Bukuresht dhe nis nga ora 21:00.

“Një garë e re po fillon”, tha trajneri i Francës, Didier Deschamps.

Me Kylian Mbappen, Antoine Grizemannin dhe Karim Benzeman, Deschamps ka fuqi të mjaftueshme sulmuese për fituar tituj të mëdhenj, diçka që do të përputhej me arritjet e vendit në vitin 1998 dhe 2000.

Benzema dhe Mbappe shkëmbejnë pasime të shpejta dhe ndërrojnë pozicionet në fazën ofensive, kurse kanë mbështetje nga prapa nga Griezmann. Por, asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje të shënonte në fitoren e parë 1:0 ndaj Gjermanisë, një ndeshje e vendosur nga autogoli i Mats Hummelsit.

Griezmann doli në skenë në barazimin 1:1 kundër Hungarisë, ndërsa Benzema shënoi dy gola në barazimin 2:2 kundër Portugalisë. Ishin dy golat e parë pas rikthimit në ekipin përfaqësues pas gati gjashtë vjetësh.

“Ne e dimë që duhet të përmirësohemi”, tha mesfushori Paul Pogba, një tjetër lojtar i rëndësishëm për Francën.

Benzema vjen nga një edicion në të cilin shënoi 30 gola për Real Madridin. Një nga paraqitjet e tij të mëparshme më të mira ishte në fitoren 5:2 ndaj Zvicrës në Kupën e Botës të zhvilluar në Brazil në vitin 2014. Ai shënoi një gol në atë takim dhe asistoi një tjetër.

22-vjeçari Mbappe, i cili arriti shifrën më të lartë në karrierë me 42 gola për Paris Sain-Germainin sezonin e përfunduar javë më parë, shkëlqeu në Kupën e Botës të mbajtur në Rusi në vitin 2018, duke shënuar katër gola për ta ndihmuar Francën ta fitonte titullin e dytë. Ai shënoi një nga golat në fitoren 4:2 ndaj Kroacisë në finale.

Zvicra ka betejën e vet me historinë. Zviceranët shpresojnë ta përfundojnë serinë prej tri eliminimeve rresht në një të tetën e finales në turne të mëdhenj.

Në përgjithësi, helvetikë nuk kanë fituar ndeshje në fazën nokaut në ndonjë turne të madh për 67 vjet.

Zvicra përfundoi e treta në Grupin A me katër pikë, duke avancuar tutje si një nga katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë. Pas një barazimi 1:1 ndaj Uellsit dhe një humbjeje 3:0 nga Italia, trajneri Vladimir Petkoviq ishte në shënjestër të kritikave, duke u fajësuar për taktikë negative dhe mungesë të kreativitetit.

Ekipi ktheu gjërat në favorin e tij në ndeshjen e fundit, të cilën e fitoi 3:1 kundër Turqisë. Xherdan Shaqiri shënoi dy gola dhe Haris Seferoviq një tjetër. Anësori Stevan Zuber asistoi në të tre golat e Zvicrës.

Zvicra nuk e ka mposhtur kurrë Francën në ndeshje garuese. Në takimin e tyre të mëparshëm në “Euro 2016”, zviceranët luajtën ndaj Francës nikoqire pa gola në fazën grupore.

“Presioni do të jetë mbi ta”, tha mbrojtësi i Zvicrës, Loris Benito. “Ne do të qëndrojmë pozitivë”.