Euro 2020

Rice minimizon rëndësinë e mungesës së golave tek Anglia

Mesfushori Declan Rice thotë se është bërë shumë zhurmë për mungesën e golave ​​të Anglisë në “Euro 2020”, duke besuar se anglezët kanë “talentin e klasit botëror” për të shënuar më shumë gola me avancimin e turneut.

Skuadra e Gareth Southgate, që përballet me Gjermaninë në 1/8 e finales në “Wembley” të martën, kryesoi grupin pavarësisht se gjeti rrjetën vetëm dy herë, me Raheem Sterlingun që shënoi të dy golat. Kjo është në kontrast të madh me disa nga ekipet e tjera, para së gjithash me Italinë dhe Belgjikën, që shënuan nga shtatë gola dhe me Holandën që shënoi tetë herë në fazën e grupeve të këtij turneu.

“Ndihem sikur disa njerëz, ose shumica e njerëzve, mendojnë shumë për mungesën e golave tanë”, tha mesfushori Rice, duke treguar numrin e golave ​​që Anglia shënoi në kualifikimin për këtë turne. “Ne ishim në krye të grupit, nuk pësuam një gol, që është një arritje e madhe, kurse dihet se ekipet e tjera të mëdha pësuan shumë gola. Nëse duam ta fitojmë këtë turne atëherë duhet të mos pësojmë, por në të njëjtën kohë të mos shqetësohemi për mungesën e golave. Ne kemi atë talent të klasit botëror dhe këtë e kemi treguar gjatë gjithë sezonit”.

Rice tha se shikimi i golit të anuluar të Frank Lampardit ndaj Gjermanisë në Botërorin e vitit 2010, kishte qenë një përvojë jo shumë e mirë. Topi e kaloi vijën fatale në kohën kur Anglia ishte në disavantazh 2:1. Mirëpo, ai nuk u pranua dhe Anglia u eliminua në 1/8 e finales nga Gjermania, e cila triumfoi me rezultatin e përgjithshëm 4:1.

“Kjo do të jetë gjithmonë si një thyerje zemre për anglezët”, tha lojtari i West Hamit. “Unë mendoj se për ndeshjen kundër Gjermanisë të gjithë e dinë se sa e rëndësishme është dhe sa të përqendruar duhet të jemi për atë lojë”.

Rice, 22-vjeçar, tha se do të ishte i lumtur të merrte përsipër një penallti kundër Gjermanisë, pavarësisht historisë së dhimbshme të Anglisë.

“Nëse do të më kishit pyetur dy vjet më parë, unë me siguri do të kisha thënë jo, por mënyra sesi kam filluar të marr përgjegjësi në nivelin e klubit tani, më ka dhënë vetëbesim se mund të shënoj gol nga penalltia. Jam i gatshëm për penallti ndaj Gjermanisë”, tha Rice. “Padyshim që ne kemi qenë të suksesshëm në Botërorin e vitit 2018 në gjuajtjen e penalltive dhe në Ligën e Kombeve. Kështu që si grup e dimë procesin që duhet ta kalojmë dhe jemi të gatshëm”.