Euro 2020

Skocezët të vendosur për t’u dhënë tifozëve arsye të vërtetë për festë

Te Përfaqësuesja e Skocisë në futboll janë të vendosur për të ofruar më të mirën që tifozëve të zhurmshëm të tyre t’u japin arsye të vërtetë për të festuar.

Jo vetëm një barazim pa gola.

Euforia kaploi tifozët skocezë, të njohur si “Tartan Army”, pasi Skocia ia doli ta ndalte në barazim pa gola Anglinë, rezultat që pakkush e kishte pritur. Rrugët në Glasgow u mbushën të premten mbrëma me tifozë që shfaqnin flamurin jashtë dritareve të veturave të tyre. Të tjerë tifozë vallëzuan në rrugë, sikur ekipi i tyre të kishte fituar gjithë Kampionatin Evropian.

Barazimi, ndonëse i vlerësuar lart, jep pak shpresë për avancimin e Skocisë nga faza grupore në “Euro 2020”. Skocia kishte humbur 2:0 nga Çekia në ndeshjen e parë në grupin D.

Tani Skocia ka një mundësi të fundit për të shfrytëzuar energjinë e tifozëve të saj. Takohet me Kroacinë në “Hampden Park” në Glasgow, të martën mbrëma. Të dy përfaqësueseve u duhet fitorja për të pasur shpresa për kualifikim.

Kroacia dhe Skocia kanë nga një pikë dhe barazimi nuk do të kryente fare punë. Çekia dhe Anglia udhëheqin në grup me nga 4 pikë dhe takohen mes vete në Londër.

Skocia në letër nuk është vendase, por në stadium do të ketë përkrahjen e mbi 12 mijë shikuesve.

“Është gjë e madhe të shohësh se paraqitjet tona dhe pika ndaj Anglisë kanë sjellë shumë besim dhe buzëqeshje në fytyrën e banorëve të vendit”, ka thënë mesfushori i Skocisë, Stuart Armstrong.

“Të ndërtojmë mbi atë barazim dhe t’u japim tifozëve diçka për të festuar të martën, është synimi ynë dhe fokusi ynë”, ka shtuar ai.

Pra, një barazim tjetër pa gola apo edhe me gola të shënuar nuk do të sillte festë të re.

“Është e thjeshtë për të dy ekipet”, ka theksuar Armstrong. “Të dy ekipet e kërkojnë fitoren. Dhe barazimi nuk është i mirë për asnjërën palë. Është mënyrë e thjeshtë e të menduarit”.

Ajo që nuk ishte e thjeshtë për Skocinë është shënimi i golave. Derisa ekipi punoi fort në mbrojtje ndaj Anglisë, por edhe në humbjen ndaj Çekisë, konkretizimi i aksioneve nuk ishte në nivel.

Armstrong nuk është i brengosur.

“Do të ishte problem nëse nuk do të krijonim shanse. Mendoj se kemi pasur disa raste, shumë raste. Kemi nevojë për një gol që besoj se do të vijë të martën, atëherë kur na duhet më së shumti”.

Skocezët duhet të luajnë pa Billy Gilmour. 20-vjeçari startoi për herë të parë në ndeshjen ndaj Anglisë dhe ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Por ai do të mungojë në ndeshjen ndaj Kroacisë, pasi pranoi rezultat pozitiv në testin për koronavirus.

Nënkampionia në fuqi e botës, Kroacia, po ashtu ka pasur telashe me shënimin e golave. Kroatët humbën 1:0 nga Anglia në ndeshjen e parë dhe më pas barazuan 1:1 me çekët.

Për dallim nga “Tartan Army”, që ka çmuar përpjekjet e lojtarëve të Skocisë, tifozët e Kroacisë nuk janë impresionuar me ekipin e tyre deri më tani.

Ka pasur pritje të mëdha nga ekipi kroat, pas rrugëtimit të veçantë në “Botërorin 2018”. Kapiteni Luka Modriq fitoi “Topin e Artë” atë vit.

Por Kroacia, të paktën deri më tani, nuk ka arritur nivelin e pritur. Modriq, që doli në skenë në turnetë e kaluar si mesfushori kryesor kroat, është shtyrë aq prapa në dy ndeshjet e para në “Euro 2020”, sa ishte thuajse në vijë me mbrojtësit e qendrës.

Goli i vetëm i Kroacisë u shënua pasi mbrojtësi i Çekisë, Vladimir Coufal, rrëshqiti në fushë, pasi zgjodhi këpucët e gabuara të futbollit për pjesën e dytë. Kjo i mundësoi hapësirë Ivan Perishiqit që të shënojë për barazim.

Seleksionuesi kroat, Zlatko Daliq, është përballur me pyetje për të ardhmen e tij te Kroacia, derisa ekipi po bëhej gati për ndeshjen e së martës. Mediat kroate kanë qenë sidomos kritike për ekipin e përzgjedhur nga Daliq për ndeshjen e dytë.

Lojtarët kroatë duan të kthejnë gjërat në vendin e duhur të martën.

“Nuk ka ekipe të dobëta në kampionate evropiane”, ka thënë mbrojtësi kroat Joshko Gvardiol.

“Ne kemi nisur me këtë në mendje, por na vjen keq që nuk kemi marrë më shumë nga dy ndeshjet e para. Duhet të japim çdo gjë, duhet të ‘vdesim’ në fushë. Duhet të fitojmë tri pikët dhe të shpresojmë që të avancojmë”, ka shtuar Gvardiol.

“Euro 2020”, Grupi D: Kroacia – Skocia, e martë (21:00)