Euro 2020

Kthimi i Benzemas ka përshpejtuar sulmin e Francës

Kthimi i Karim Benzemas në përfaqësuese ka përshpejtuar sulmin e Francës dhe ka hequr pak presion nga reparti mbrojtës.

Francezët do të tentojnë ta fitojnë ndeshjen e katërt rresht dhe pa gol të pranuar që nga kthimi i Benzemas, kur të takohen me Hungarinë të shtunën nga ora 15:00 në kuadër të Kampionatit Evropian. Ndeshja luhet në Budapest dhe i takon Grupit F.

Fitorja do ta dërgonte Francën në raundin tjetër, pasi ajo e hapi Evropianin me fitore 1:0 ndaj Gjermanisë. Hungaria në ndeshjen e parë pësoi 3:0 nga Portugalia, ndonëse u mbajt thuajse deri në fund.

“Les Bleus” duken më në formë me Benzeman në fushë, që ka dhënë më të mirën që nga rikthimi në përfaqësuese pas gjashtë vjetësh. Ai ishte larguar për shkak të mosmarrëveshjeve me selektorin Didier Deschamps.

Benzema në përbërjen bazë e ka zëvendësuar Olivier Giroudin, që luan më shumë me shpinë kah goli. Teknika dhe leximi i lojës e kanë ndihmuar Benzeman që të përshtatet shumë mirë me Kylian Mbappen dhe Antonie Griezmannin. Treshja po punon për njëri-tjetrin. Vija e parë e sulmit francez po ashtu po jep kontribut për mbrojtjen, duke mos lejuar ekipet kundërshtare që të dalin shpejt përpara.

Përpjekjet e sulmuesve po marrin vlerësimin e mesfushorëve, por edhe të mbrojtësve.

“Kur e sheh Kylianin se e humb topin dhe e fiton atë pas pesë sekondave, kur e sheh Karimin duke punuar shumë dhe Antoinen duke luajtur në thellësi, kjo të jep forcë”, ka thënë mbrojtësi i Francës, Raphael Varane. “Më pas ne i inkurajojmë ata nga prapa, apo u japim pasime të mira për të sulmuar”.

Varane, lojtari i Real Madridit që mbulon qendrën e mbrojtjes përkrah Presnel Kimpembes, ka thënë se puna e sulmuesve ishte vitale për të frenuar sulmin e gjithanshëm të Gjermanisë.

“Tre sulmuesit tanë janë mbrojtur shumë mirë. Ata kanë vrapuar shumë për të zvogëluar hapësirën mes vijave”, ka theksuar Varane.

Duke marrë për bazë se kanë luajtur vetëm tri ndeshje së bashku, sulmuesit e Francës janë përshtatur jashtëzakonisht shpejt si një njësi e përbashkët. Benzema dhe Mbappe shkëmbejnë pasime të shpejta dhe ndryshojnë pozitat në fushë, ndërsa mendjemprehti dhe i shkathëti Griezmann vepron pas tyre.

Ajo pozitë në thellësi e Griemznannit i lejon atij që të luajë më afër Paul Pogbas, pasimet e shkëlqyeshme të të cilit e kanë dëmtuar Gjermaninë.

Duket se Pogba është kthyer në formën më të lartë pasi humbi vendin te Manchester Unitedi në vitin 2018.

Derisa Benzema nuk ka shënuar ende pas rikthimit, ai ka qenë kërcënim konstant për mbrojtjet kundërshtare.

Mbappe, Pogba dhe Griezmann kanë shënuar në fitoren në finale të Botërorit ndaj Kroacisë, tre vjet më parë. Tani kësaj tresheje, Deschamps ia ka shtuar Benzeman, që ka shënuar 30 gola për Real Madridin këtë edicion.

Aftësia e Benzemas për ta kontrolluar topin në secilën pozitë dhe pasimet në shpejtësi kanë ndihmuar Francën që ta mbajë topin larg mbrojtjes dhe ka reduktuar rrezikun për kundërsulme të rivalëve.

Ka pasur rritje të angazhimit nga Mbappe. Ai po mbrohet shumë më tepër se që ka bërë në të kaluarën te Franca dhe te PSG-ja. Vrapimet e rrezikshme të tre sulmuesve i japin Pogbas opsione të shumta. Mënyra se si treshja e sulmit është lidhur me të, i ka shkaktuar telashe Gjermanisë. Katërshja duket e pandashme në fushë dhe jashtë saj. Ekipi i Francës ka publikuar një video të tyre, duke arritur së bashku në stërvitje të mërkurën. Madje ata po qeshnin të gjithë së bashku me një video që po shikonin në telefon.

Trajneri i Hungarisë, Marco Rossi, është ankuar për golat e lehtë që i kanë pranuar nga Portugalia. Hungarezët duhet të shtrëngohen ndaj Francës dhe të bëjnë presion në të gjitha pjesët e fushës për të tentuar që të ndalin sulmet e rivalit.

Hungaria do të ketë përkrahje të madhe në stadiumin me 67.215 vende, njëjtë si kundër Portugalisë. Hungaria është i vetmi vend që ka lejuar që stadiumi të jetë i mbushur plot në ndeshjet e “Euro 2020”.