Euro 2020

Leedsi krenohet me Alioskin

Descriptive Text

Me golin e realizuar ndaj Ukrainës të enjten, ylli shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski, ka hyrë në histori të klubit të tij në Angli, Leeds United. Ai është bërë futbollisti i parë i këtij klubi që ka realizuar gol në ndonjë Kampionat Evropian që nga viti 1992.

E për këtë, Leedsi ka ndarë fotografi të Alioskit në rrjete sociale duke shprehur krenarinë për futbollistin shqiptar.

Në një lidhje direkte për Interaktiv, zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Faton Zylbehari, këtë e ka quajtur si momentin më emocional për të në “Euro 2020”.

“Detaji i fundit është ai i sotëm. Leeds United në Twitter, Instagram dhe Facebook dhe thotë se bëhet lojtari i parë i klubit që shënon gol në Evropian në 1992. Sa e bukur një shqiptar dhe jehonë merr në shtetin britanik e lëre më përtej saj”, ka thënë ai.

Pasi Maqedonia u konfirmua si ekipi i parë që u eliminua nga “Euro 2020”, Zylbehari ka deklaruar se nuk mungon zhgënjimi te kampi.

“Ka dëshpërim, kur humb s’mund të jesh i lumtur. Por duhet të kthehemi në pikën e fillimit kur po vinim në Evropian dhe me rankimin 62 erdhëm në “Euro 2020”. Është suksesi më i madh i futbollit në Maqedoni. Po u mor një fitore e një barazim do të ishte edhe më mirë. Një humbje s’do të thotë të merret tragjike”, ka shtuar ai.

Të hënën, Maqedonia luan ndeshjen e fundit të Grupit C, ndaj Holandës.