Euro 2020

Finlanda luan ndaj Rusisë me mendje për të kaluar grupin

Descriptive Text

Fitorja historike e Finlandës mbeti krejt në plan të dytë pas asaj që i ndodhi Christian Eriksenit në ndeshjen e së shtunës në Kopenhagë. Në ndeshjen e parë në Evropian, Finlanda fitoi 1:0 ndaj Danimarkës. Por, kolapsimi në fushë i yllit danez Eriksen, bëri që për fitoren e Finlandës të flitet fare pak.

Për Finlandën ishte madje ndeshje e parë në një turne të madh futbolli. Pati pak festë në fushë, por thuajse fare në zhveshtore. Këtë e ka bërë të ditur kapiteni i Finlandës, Tim Sparv.

“Ishte shumë qetë. Dhe kjo ishte e kuptueshme”, ka thënë Sparv.

Ndoshta Finlanda tani mund të fillojë të entuziazmohet.

Një vend në fazën nokaut të “Euro 2020” është i mundur dhe ai do të garantohet me fitore ndaj Rusisë të mërkurën.

Finlanda e Rusia takohen nga ora 15:00 në St. Petersburg, në kuadër të Grupit B. Belgjika e Finlanda udhëheqin me nga 3 pikë, ndërsa Danimarka e Rusia janë pa pikë.

Finlanda nuk ka shënuar fitore ndaj Rusisë për më shumë se një shekull. Finlanda nuk ka fituar që nga turneu olimpik i vitit 1912, kur ishte nën kontroll të Rusisë. Por, për finlandezët mund të mos ketë rast më të mirë për t’i dhënë fund kësaj pritjeje.

Rusia është mposhtur 3:0 nga Belgjika në ndeshjen tjetër të Grupit B. Rusët kanë fituar vetëm tri prej 12 ndeshjeve të fundit.

Lëndimet kanë ndikuar në dy prej pesë zëvendësimeve të bëra nga selektori i Rusisë, Stanislav Cherchesov, në ndeshjen ndaj Belgjikës. Por, fakti se ai ka shfrytëzuar të gjitha ndërrimet, dëshmon se ka pakënaqësi, e me gjasë, edhe pasiguri lidhur me ekipin më të mirë.

Finlanda ka ekip të vogël me një grup lojtarësh që i dinë detyrat e tyre. Finlanda udhëhiqet nga Markku Kanerva, një ish-mësues i shkollës fillore. Dhe besimi mund të jetë në rritje pasi finlandezët siguruan fitoren më të mëdha në histori të vendit, ndaj Danimarkës.

Rreth 5000 finlandezë pritet të jenë në stadiumin që do të pranojë pak mbi 30 mijë shikues, në St. Petersburg. Qyteti është rreth 200 kilometra larg kufirit me Finlandën.

“Nëse mendoni për udhëtimin për në Kopenhagë apo St. Petersburg, mund të them se është e përkryer për tifozët tanë”, ka thënë Kanerva.

Ai megjithatë, ka shprehur brenga, duke thënë se lojtarët e tij mund të jenë ende të traumatizuar nga ajo që i ndodhi Eriksenit.

“Është vështirë të thuhet se si ngjarja e Eriksenit ndikon te njerëzit. Natyrisht të gjithë ne e kemi atë ngjarje në mendje. Nuk është detyrë e lehtë për të gjithë ne që të koncentrohemi vetëm në futboll, pasi ka gjëra më të mëdha”.

Presioni te Rusia është që të fitojë, sidomos pasi fazën grupore e mbyll me udhëtim në Kopenhagë, ku do të përballet me Danimarkën. Sipas Cherchesovit, kritikat ndaj Rusisë pas humbjes nga Belgjika ishin të arsyeshme.

“Euro 2020”, Grupi B: Finlanda – Rusia, e mërkurë (15:00)