Euro 2020

Donnarumma i vendosur ta mbajë “të mbyllur” portën e Italisë

Descriptive Text

Italia nuk ka pranuar gol në nëntë ndeshjet e fundit të saj. Në ndeshjen hapëse të “Euro 2020”, atë ndaj Turqisë, porta e italianëve nuk është rrezikuar thuajse fare. Turqia nuk ka pasur asnjë goditje të saktë në fitoren 3:0 të azurëve.

Megjithatë ishte një moment në ndeshje, kur nuk kishte ende gola të shënuar, që turqit rrezikuan. Por Gianluigi Donnarumma ishte vigjilent, duke e grushtuar topin. Kjo pak a shumë përshkruan punën e portierit të një përfaqësueseje të madhe. Nuk do të keni shumë punë, por kur të paraqitet rreziku, duhet të jeni gati.

Italia megjithatë duket se është në duar të sigurta, shkruan sajti zyrtar i UEFA-s. “Gigio”, ndonëse ende vetëm 22-vjeçar, ka arritur tashmë në shifrën e 27 ndeshjeve me Italinë. Ai ka debutuar në shtator të vitit 2016, duke e zëvendësuar ikonën Gianluigi Buffon në miqësore ndaj Francës. Prej atëherë, Donnarumma ka mbajtur portën të paprekur në 16 ndeshje. Ndërsa asnjëherë nuk ka pranuar më shumë se një gol në ndeshje për vendin e tij.

Ndërsa Italia po bëhet gati për ndeshjen e dytë në “Euro 2020”, Donnaruma ka folur për tema të ndryshme në një intervistë për sajtin zyrtar të UEFA-s.

Italia e Zvicra takohen të mërkurën, prej orës 21:00 në Romë, në kuadër të Grupit A.

“Ishte e rëndësishme që e fituan ndeshjen e parë. Kemi pasur ndeshje të madhe, por nuk bën të relaksohemi. Duhet të vazhdojmë të punojmë, të përgatitemi. Ishte një atmosferë fantastike në Romë. Kemi kuptuar se sa shumë na kanë munguar tifozët. Shpresojmë që ky është vetëm fillimi”, ka thënë Donnarumma, që është pjesë e Milanit që nga viti 2015.

Të përfaqësojë Italinë është nder për portierin shtatlartë.

“Të luajmë për Italinë do të thotë shumë për ne, jemi krenarë për këtë. Do ta nderojmë fanellën deri në fund. Festa jonë në fund të ndeshjes ishte e rezervuar, nuk kemi arritur ende asgjë. Ne kemi fituar dhe kemi luajtur mirë në ndeshjen që ishte e rëndësishme. Por tani duhet të vazhdojmë. Luajmë me Zvicrën një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme”.

Italia nuk ka pranuar gol për 875 minuta, ndërsa Donnarumma thotë se objektivi është që gjithnjë të mbahet porta e paprekur.

“Në aspektin defanziv jemi paraqitur shumë mirë dhe do të mundohemi të vazhdojmë njëjtë. Të mos pranojmë gol për kaq shumë ndeshje është burim i krenarisë. Por ekipi dhe fitimi i ndeshjeve janë prioritet. Jam shumë i lumtur me mënyrën si po luajmë. Po qëndrojmë të fokusuar deri në momentin e fundit. Kjo është forca e këtij grupi, të qëndrojë i fokusuar për 90 apo 95 minuta. Të gjithë e panë këtë ndaj Turqisë. Duhet ta mbajmë këtë nivel në ndeshjet e ardhshme”, ka theksuar Donnaruma.

Më 20 qershor Italia e luan ndeshjen e tretë në grup ndaj Uellsit në Romë. Por italianët synojnë të qëndrojnë gjatë në “Euro 2020”. Lojtarët po e shijojnë çdo çast të kaluar në fushë dhe kjo vërehet që në momentin kur e intonojnë himnin me shumë pasion.

“Sa herë që veshi fanellën e Italisë për mua është ndjenjë e jashtëzakonshme. Shpresoj se do të vazhdoj ta mbaj veshur për kohë shumë të gjatë. Jam i vetëdijshëm se portieri para meje ka bërë histori, por nuk ndiej presion. Thjesht jam krenar të eci gjurmëve të tij. Rekordet e Buffonit më motivojnë shumë. Nuk do të jetë lehtë, por do të mundohem t’i thyej ato”, ka theksuar Donnarumma.

Ai ka vlerësuar lart përfaqësuesen e Zvicrës.

“Është ekip i madh që luan futboll të mirë. Zvicra po ashtu luan lojë sulmuese, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm për 90 minuta. Shpresojmë të kemi ndeshje të madhe dhe të kemi rezultat të mirë. Duhet të jemi të fokusuar ashtu si ndaj Turqisë. Ndoshta edhe më tepër”, ka thënë portieri italian.