Euro 2020

Deschampsi e di se çfarë i mungon Italisë

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, e ka përgëzuar selektorin e italianëve, Roberto Mancini, për fitoren në ndeshjen hapëse të Kampionatit Evropian “Euro 2020”, por ka thënë se Italisë i mungon eksperienca.

“Azzurrët” fituan 3:0 kundër Turqisë në ndeshjen hapëse të Evropianit 2020 të premten.

Franca konsiderohet favorit për ta fituar garën, por ish-mesfushori i Juventusit beson se kjo nuk është e mjaftueshme për ta ngritur trofeun më 11 korrik.

“Nuk i fiton ndeshjet para se të luash, kualiteti dhe talenti nuk mjaftojnë. Duhet ta kesh mentalitetin e fortë, të jesh agresiv dhe i vendosur. Të gjitha këto i kemi pasur në ‘Rusia 2018’. Nuk është e lehtë të fitosh, ta fitosh edhe një herë tjetër është edhe më e komplikuar. Ambicia nuk duhet të jetë e tepruar”, ka thënë Deschamps.

“Italia mund ta ketë ambicien të shkojë shumë larg edhe nëse disa prej lojtarëve të tyre nuk kanë shumë eksperiencë në nivel përfaqësuesesh. Për shumë ‘Azzurr’, kjo do të jetë gara e parë e madhe, por njësoj ishte edhe për Mbappen e Pavardin në vitin 2018, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm. Më pëlqen Chiesa i cili pati sezon të mirë me Juventusin, por edhe Barella. E ke Immobilen dhe Verratti që janë lojtarë me vlera. Mancini ka ndërtuar diçka interesante, me të rinjtë që janë përshtatur shpejtë dhe kanë marrë rezultate të rëndësishme në Ligën e Kombeve dhe në kualifikimet e Kupës së Botës. Për më tepër, është ulur mosha mesatare, dhe janë mbajtur disa lojtarë me eksperiencë”, ka thënë Deschamps.

Franca debuton në “Euro 2020” të martën më 15 maj kundër Gjermanisë. Fituesja e Kupës së Botës 2018 është në “grupin e vdekjes” me Gjermaninë, kampionen në fuqi të Evropës, Portugalinë dhe Hungarinë.