Euro 2020

Dani Olmo i gatshëm për të imituar Iniestan e Xavin te Spanja

Mesfushori i Leipzigut, Dani Olmo, është i gatshëm për të lënë përshtypje në Kampionatin Evropian te Përfaqësuesja e Spanjës. Me skemën e përzgjedhësit Luis Enrique, Olmo po synon të imitojë dy ish-mesfushorët fantastikë të Spanjës, Andres Iniestan e Xavi Hernandezin që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe janë zhvilluar si lojtarë në akademinë e Barcelonës “La Masia”. Iniesta e Xavi konsiderohen si dy nga mesfushorët më të mirë të brezit të tyre, paraqitjet e të cilëve në “Camp Nou” i ka shikuar Olmo, që ishte pjesë e të rinjve të Barcelonës. Kjo do të thotë që Olmo kishte një nga vendet më të mira në stadium për t'i parë ata duke e udhëhequr Barcelonën përpara. E një rol të tillë Olmo do ta ketë te Spanja në “Euro 2020” që nis të premten.

Si katalonjas, Olmo ishte zhvendosur në “La Masia” nga rivali i qytetit, Espanyoli, në moshën nëntëvjeçare në vitin 2007. Dhe për këtë arsye nuk është aspak e çuditshme që Olmo pranon se Xavi e Initesta janë dhe mbesin idhujt e tij. Megjithatë, vendimi i Olmos për t’u larguar nga Barcelona në moshën 16-vjeçare për t’iu bashkuar Dinamo Zagrebit pati habitur të gjithë. Ai pritej të ndiqte gjurmët e paraardhësve të tij të shquar dhe të promovohej në ekipin e parë të Barçës, por ai kishte plane të tjera.

“Nuk më interesonte se ku po shkoja apo ekipi nuk ishte pjesë e pesë ligave të mëdha të Evropës. Nuk dija asgjë për Kroacinë, por e dija se te Barça rrezikoja të humbja në sistemin e të rinjve, duke u bërë vetëm një lojtar tjetër, pa ndonjë rrugë të qartë për në ekipin e parë”, thotë Olmo.

Babai i tij, Miquel, shkon edhe më tej, duke shpjeguar: “Ata më thanë se isha i çmendur. Ata më masakruan për këtë, duke thënë se po shkatërroja karrierën e djalit tim”.

Olmo thotë se pyetja që e merr vazhdimisht nga të gjithë është se “si shkova nga Barcelona në Zagreb dhe më pas në Leipzig?”. Megjithatë, tani, pak njerëz do të dyshojnë në vendimin e tij për të kërkuar mundësi të reja jashtë Spanjës, ose për të qenë si akuzues ndaj babait të tij.

Në fund të fundit, Olmo po shkon në një Kampionat Evropian me Spanjën pas paraqitjeve fantastike që i pati te Leipzigu gjatë edicionit 2020/21. 23-vjeçari shënoi pesë gola dhe asistoi nëntë herë në 32 paraqitje për ekipin gjerman.

Duke vepruar kështu, mesfushori me tipare sulmuese e ka vendosur veten si një figurë kryesore si për klubin ashtu edhe për vendin. Ai gjithashtu ka shënuar gola vendimtarë për Spanjën në dy ndeshjet e fundit eliminatore për botërorin “Katari 2022” kundër Kosovës e Gjeorgjisë, duele që i fituan spanjollët.

Xavi dhe Iniesta ishin thelbësorë për dominimin e Spanjës nga viti 2008 deri në vitin 2012, gjë që i solli vendit lavdinë më të madhe: dy tituj kampioni të Evropës dhe një titull të Botës. Olmo ishte ende në Barcelonë gjatë asaj periudhe dhe sukseset e Spanjës e kanë inspiruar atë për paraqitje të mira në “Euro 2020”.

“Nëse e shikoni Spanjën e atyre viteve, atëherë e kuptoni se ishte një skuadër fantastike, e pabesueshme. Kishte lojtarë si Xavi Hernandez, Andres Iniesta, David Silva, Sergi Busquets dhe Santi Cazorla, që ishin vendimtarë në suksesin e madh”, shprehet Olmo. “Tani ne kemi një ekip krejtësisht të ri, por do të mundohem ta ndihmoj për të shkuar sa më larg në Evropian”.

Olmo tashmë ka tërhequr vëmendjen me talentin e tij, dhe përzgjedhësi Enrique ka besim të madh tek ai. Olmo pëlqen të ketë në posedim topin, ashtu si Xavi dhe Iniesta gjatë karrierës së tyre historike.

“Olmo mund të krenohet se ka qenë në Barcelonë. Ai është një lojtar fantastik”, pranoi Enrique.

Ashtu si Xavi e Iniesta që kanë fituar trofe me gjeneratat e reja të Spanjës, edhe Olmo ka një trofe. Xavi në vitin 1999 e fitoi Botërorin e të Rinjve në vitin 1999 derisa Iniesta arriti dy herë të bëhet kampion i Evropës (U16, U19) në vitin 2001 dhe 2002. Olmo para dy vjetësh është shpallur kampion i Evropës me Përfaqësuesen U21 të Spanjës. Në atë turne, Olmo shënoi në gjysmëfinale dhe finale, derisa Spanja e mposhti Gjermaninë. Ai në total shënoi tre gola, dhe tani po shpreson të ketë ndikim të ngjashëm te Spanja në Evropianin që nis më 11 qershor.

“Ky është synimi im, pra t’i imitoj Iniestan e Xavin si me paraqitje ashtu edhe me suksese. Shpresoj të kem paraqitje të mira në Evropian”, tha Olmo.