Botërori 2018

Hummels kritikon bashkëlojtarët për humbjen nga Meksika

Pas humbjes nga Meksika kanë shpërthyer pakënaqësitë te skuadra e Gjermanisë.

Kampioni në fuqi, e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme mbrojtjen e titullit, duke pësuar disfatë 0-1 nga Meksika.

Kjo humbje ka lënë shije të hidhur në mesin e futbollistëve dhe njëri prej atyre që reagoi më ashpër për mënyrën e lojës së Gjermanisë ishte Mats Hummels.

Ai ishte njëri prej dy qendërmbrojtësve, së bashku me Jerome Boateng, që u gjend shpeshherë në vështirësi në kundërsulmet e rrezikshme të meksikanëve, e për këtë arsye, mbrojtësi i Bayern Munichut ka kritikuar bashkëlojtarët e tij, transmeton KP.

“Problemet me mbulimin në mesfushë ishin të dukshme. Shpesh na lanë të vetëm mua dhe Boatengun në mbrojtje”, ka thënë Hummels. “Ishim paralajmëruar për një sjellje të tillë që në ndeshjet miqësore. Ndaj Meksikës kemi luajtur saktësisht si ndaj Arabisë Saudite, por përballë kishim kundërshtarë shumë herë më të mirë”.

“Kur sulmon me shtatë apo tetë lojtarë, sigurisht që do të kesh më shumë forca përpara, por mbrojtja mbetet e vetmuar. Është diçka për të cilën kam folur shpesh në dhomat e zhveshjes dhe me sa duket nuk ka shërbyer”, ka theksuar ai.