Botërori 2018

Messi komenton humbjen e penaltisë

Lionel Messi kishte mundësinë t’i jepte Argjentinës fitoren në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2018 kundër Islandës, por humbi penalltinë e akorduar pas një ore lojë dhe kësisoj skuadra e Jorge Sampaolit nuk mundi të shkonte përtej barazimit 1-1.

Messi e fitoi penalltinë, por goditja e tij u prit nga portieri Hannes Halldorsson, transmeton KP.

Pas ndeshjes, numri 10 deklaroi se, “u lodhëm shumë me synimin për të ndërtuar raste për shënim. Tani duhet të fitojmë ndaj Kroacisë. Kemi qenë superior ndaj Islandës, e provuam në të gjitha mënyrat për të fituar ndeshjen, por nuk mjaftoi”.

Ai më tutje ka shtuar se ishte e dhimbshme humbja e penaltisë.

“Humbja e penalltisë ka qenë e dhimbshme. Nuk duhet të dëshpërohemi, e dinim që nuk do të ishte e lehtë. Jemi të mërzitur sepse meritonim të fitonim, por është e qartë se kemi mundësinë të kualifikohemi në dy ndeshjet e tjera në grup”, ka deklaruar Messi.