Mitingu “elektoral” i Trumpit, sërish akuza ndaj mediave Foto: Reuters

Mitingu “elektoral” i Trumpit, sërish akuza ndaj mediave

19 shkurt 2017 10:23

Donald Trump nuk di të ndalet dhe lëshon një tjetër valë akuzash të rënda ndaj mediave, gjatë një mitingu në shtetin e Floridës. Ai iu drejtua turmës së mbledhur në qytetin Melbourne të gadishullit juglindor, duke thënë se media nuk dëshironte “të raportonte të vërtetën” dhe se kishte një agjendë të sajën.

Ai mbrojti sërish arritjet e presidencës së tij deri më tani, duke këmbëngulur se fryma e optimizmit po zgjerohej e shtrihej në mbarë Shtetet e Bashkuara. Trump e kishte sulmuar mediat edhe gjatë një konference për shtyp të së enjtes, në vazhdën e rritjes së presionit ndaj presidencës së tij.

Këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn dha dorëheqjen (e kërkuar nga Trump) më herët gjatë javës, ndërsa Trumpit i mbetet të zgjedhë mes kandidatëve për këtë rol gjatë kësaj të diele, shkruan tch.

Mirëpo të shtunën, Presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij Melania u pritën me ngazëllime nga mijëra mbështetës në mitingun e shtetit të fituar gjatë zgjedhjeve të nëntorit, pavarësisht se me qindra të tjerë protestonin jashtë vendit ku ishin mbledhur mbështetësit.

Në fjalimin e tij, Trump tha se dëshironte të komunikonte me amerikanët “pa filtrin e lajmeve të rreme”. Duke i përshkruar mediat si “të pandershme”, ai ripërsëriti vlerësimin e tij se disa prej tyre “nuk duan të raportojnë të vërtetën” dhe se po krijojnë historitë e tyre ndaj tij si person. “Do të vazhdojmë t’i ekspozojmë ata”, tha ai, duke u angazhuar se do të dalë i fituar nga kjo betejë.

Në fjalim nuk mbetën pa u përsëritur edhe angazhimet për të mbajtur Amerikën “të sigurt” dhe se vendi do të kishte “kufij të përforcuar sërish”, ndërsa u tha amerikanëve se do të kishin së shpejti një “plan tejet të rëndësishëm për kujdesin shëndetësor”, pasi reformat e Obamas duhen zhbërë. Në fund theksoi sërish se Shtëpia e Bardhë po funksiononte në mënyrë shumë të efektshme dhe mohoi pretendimet se aty mbizotëron kaosi.

Gjithsesi, ajo i pazakontë është fakti që një president në detyrë të zhvillojë një miting të një stili të ngjashëm me ato të zhvilluara gjatë fushatës zgjedhore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme