Botë

Së paku 92 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në Kolumbia

Rrëshqitja e dheut ka lënë të vdekur së paku 92 persona në Kolumbinë jug-perëndimore ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të lënduar.
 

Të reshurat e shiut që nuk u ndërprenë gjatë tërë natës shkaktuan derdhjen e lumenjve nga shtretërit e tyre, duke vërshuar kështu shtëpi me baltë në provincën Putumayo.

Një numër ende i panjohur i banorëve rezulton i zhdukur. Një oficer ushtrie ka thënë se spitali lokal mezi po ia del të përballojë fluksin, raporton BBC.

Presidenti i vendit, Juan Manuel Santos, i cili është nisur drejt vendngjarjes, ka thënë se trupa të departamenteve të sigurisë dhe emergjencave janë vendosur në zonë si pjesë e reagimit të në emergjenca nacionale, transmeton Koha.net.

Guvernatori i rajonit, Sorrel Aroca, ka thënë për mediat kolumbiane se e tërë lagja është rrafshuar.

Jose Antonio Sanchez, kryebashkiak i kryeqytetit provincial, Mocoa, ka thënë për radio “Caracol” se qyteti është “izoluar në tërësi”, pa rrymë e pa ujë.

Presidenti Santos tha në Twitter se po e merr përsipër situatën dhe se kolumbianët po mbajnë zi për viktimat.

Një përfaqësues i Njësitit për Menaxhim Rreziqesh në Fatkeqësi Kombëtare tha për AFP-në se rrëshqitjet e dheut janë shkaktuar nga rritja e nivelit të ujit të Lumit Mocoa dhe tre lumenjve rrethues.