Botë

Miratohet buxheti i SHBA, shmanget një “shutdown”

Uashington, 23 mars – Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratuan Projektligjin e shpenzimeve buxhetore, pavarësisht mungesës së dhjetëra miliardë dollarëve kërkuar nga Donald Trump për ndërtimin e një muri në kufirin meksikan, transmeton ATSH raportimin e AFP-së.

Të zgjedhurit e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan Projektligjin me 256 vota pro dhe 167 kundër.

Pas Dhomës së Përfaqësuesve, Senati miratoi këtë Projektligj të shpenzimeve buxhetore prej 1.3 trilion dollarë, fryt i një kompromisi të negociuar nga lufta e madhe mes republikanëve dhe demokratëve.

Më në fund senatorët miratuan ligjin me 65 vota pro dhe 32 kundër.

Më shumë se gjysma e shpenzimeve të qeverisë për vitin buxhetor 2018 (tetor 2017-shtator 2018), rreth 700 miliardë dollarë do t’i kushtohen Mbrojtjes, me dhjetëra miliardë të ardhura shtesë në raport me vitin 2017 për blerjen e pajisjeve dhe një rritje prej 2,4 për qind për pagat e ushtarakëve.

Në projektligjin e ri të buxhetit, po ashtu përfshihen 1,6 miliardë dollarë për barrierat fizike dhe murin prej 150 kilometra në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës, një shumë e vogël krahasuar me 25 miliardë dollarët që Trump kishte kërkuar.