Botë

Dorëhiqet ministri i Brendshëm i Sllovakisë pas vrasjes së gazetarit

Ministri i Brendshëm i Sllovakisë, Robert Kalinak ka dhënë dorëheqje mes një skandali politik që shkaktoi vrasja e një gazetari investigativ dhe të fejuarës së tij.

Kryeministri Robert Fico luftoi ta mbante atë në kabinetin qeveritar, por Kalinak duket se është dorëzuar përballë presionit nga njëri prej partnerëve të koalicionit, partia “Most-Hid”, raporton Tch.

Një tjetër parti e koalicionit qeverisës bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, nëse Fico do të humbiste mbështetjen e “Most-Hid”.

Jan Kuciak ishte duke investiguar korrupsionin qeveritar, përpara se të vritej. Vrasja e tij shokoi Sllovakinë, e çoi në thirrjet e fuqishme për hetimin e ngjarjes, por shkaktoi edhe protesta masive antiqeveritare në Bratislavë gjatë së premtes, të cilat u konsideruan si më të mëdhatë në vend që prej rënies së komunizmit në vitin 1989.

Gazetari Kuciak ishte duke punuar mbi një hetim që lidhte korrupsionin e niveleve të larta politike në Sllovaki me mafien italiane, por nuk arriti ta përfundonte punën e tij, që u publikua më pas nga mediet vendase e gjeti pasqyrim edhe mes atyre botërore.

Kuciak pretendonte se biznesmenë italianë që kishin lidhje me organizatën kalabreze të krimit të organizuar “Ndrangheta” kishin hedhur rrënjë në lindje të Sllovakisë, e ndër vite kishin shfrytëzuar fondet e BE-së për agrikulturën.

Presidenti i Sllovakisë, Andrej Kiska bëri thirrje gjatë javës së kaluar për “ristrukturim radikal” të qeverisë përndryshe do të shkohej në zgjedhje të parakohshme për të rikthyer besimin e publikut, vetëm pak pasi të 7 të dyshuarit e arrestuar për vrasjen u liruan pa ngritur asnjë akuzë ndaj tyre.

Njëri prej tyre është një italian që ka pasur marrëveshje biznesi me zyrtarë shumë të afërt me kryeministrin Fico. Javën e kaluar, kryekëshilltarja e kryeministrit, Maria Troskova, si dhe Viliam Jasan, sekretar i Këshillit shtetëror të Sigurisë, dhanë dorëheqjen pas pretendimeve për marrëveshje në të kaluarën me personin e dyshuar.

Por kryeministri Fico iu kundërpërgjigj presidentit, duke thënë se ndryshimet qeveritare varen vetëm prej partisë së tij, “Smer-SD”, si dhe dy partnerët e koalicionit. “Ne nuk do të kërcejmë mbi varret e dy personave të rinj, ndryshe nga opozita, media e tashmë edhe presidenti”, tha ai.