Botë

Irani i kërkon Pakistanit bashkëpunim në luftimin e terrorizmit

Descriptive Text

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i ka thënë ministrit të Jashtëm të Pakistanit, Khawaja Mohammad Asif, se të dyja shtetet duhet të bëjnë më shumë për të punuar kundër “terroristëve”.

“Është e nevojshme për Iranin dhe Pakistanin si dy shtete fqinje me kufij të përbashkët të kenë bashkëpunim të mirë ashtu që të garatojnë sigurinë e kufijve të shtetit dhe të parandalojnë aktivitetet e terroristëve”, është cituar të ketë thënë Zarif sipas agjencive të lajmeve iraniane, gjatë takimit të tij me Asif në Islamabad, transmeton rel.

Zarif ka arritur në Pakistan më 11 mars, së bashku me një delegacion të politikanëve dhe liderëve biznesorë.

Ai po ashtu ka caktuar një takim me presidentin pakistanez, Mamnoon Hussain, kryeministrin, Shahid Khaqan Abbasi dhe zyrtarë të tjerë në vizitën e tij tri-ditore.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Mohammad Faisal, ka thënë se vizita e Zarifit ka qenë pjesë “e konsultimeve politike bilaterale në mes të të dyja palëve”.

Mediat pakistaneze kanë cituar Zarifin të ketë thënë se territori i Iranit nuk do të përdoret kundër Pakistanit.

Duke folur para gazetarëve, Zarif ka thënë se marrëdhëniet e Iranit me rivalin rajonal të Pakistanit, Indinë, nuk kanë qëllime kundër këtij të fundit.

Pakistani dhe Irani kanë marrëdhënie të ngushta.

Mirëpo tensionet janë rritur prej kur Pakistani ka njoftuar se do të dërgojë “një kontigjent të trupve” për të trajnuar dhe këshilluar rivalin rajonal të Teheranit, Arabinë Saudite.

Arabia Saudite drejton një koalicion të shteteve arabe që luftojnë kundër rebelëve huthi që mbështeten nga Irani në Jemen.