Botë

BE prezanton përgjigjen ndaj planit të Trumpit për tarifat tregtare

Komisioni Evropian ka thënë se Bashkimi Evropian do të ketë qasje tri-drejtimëshe, duke përfshirë tarifat shtesë në disa produkte amerikane dhe hapa ligjorë, nëse presidenti amerikan, Donald Trump zbaton njoftimin e tij për vendosjen e tarifave të reja në importet e çelikut dhe aluminit.

BE- e ka bërë një deklaratë të tillë sot, pasi njoftimit të Trumpit se planifikon të vendosë tarifa të reja globale në importet drejt SHBA-së.

Komisionerja evropiane për Tregti, Cecilia Malmstrom, ka thënë se komisioni shpreson ta bindë administratën amerikane se “ky nuk është hapi i duhur”.

“Mirëpo ne e kemi bërë të qartë se nëse fillon zbatimi i një maseje të tillë, do ta dëmtojë Bashkimin Evropian, do të rrezikojë punën e mijëra evropianëve andaj kjo gjë duhet të përballet dhe një përgjigje të ashpër”, ka thënë Malmstrom.

Ajo ka thënë se përgjigja e BE-së për tarifat e propozuara të Trumpit do të ishte ashtu që rasti të dërgohej tek Organizata Botërore e Tregtisë dhe të vendoseshin tarifa shtesë në disa produkte amerikane për të ribalancuar tregtinë.