Botë

Renzi shtyn dorëheqjen pas formimit të qeverisë së re italiane

“Dorëhiqem, por pas krijimit te qeverise se re”, Matteo Renzi krijoi pështjellim me deklaratën e tij të çuditshme të largimit nga kreu i Partisë Demokratike në Itali.

Njoftimi erdhi pas zhvillimeve dramatike elektorale qe e ndëshkuan ashpër PD-në në Itali, disfata e së cilës ishte aq e thellë sa e bëri të qartë për një pjese të zërave të brendshëm që drejtuesi duhet ta linte me kaq.

Por Renzi nuk do që të ikë menjëherë, raportojnë mediat italiane, transmeton TCh. “Ne bëmë disa gabime”,-u shpreh ai,-“I pari ishte që nuk votuam në 2017-tën, kur mund të imponohej një fushatë mbi axhendën europiane dhe i dyti, që u treguam gjatë kësaj fushate tepër teknike dhe nuk treguam shpirtin e gjerave që duheshin bërë.

Sipas Renzit, e gjithë situatë e sotme politike është rezultat i problemit të lindur prej referendumit.

“Ata që kundërshtonin reformën kushtetuese”,- shtoi ai,- “janë sot viktima te vetes dhe zgjedhjes që bënë atëherë”.

Megjithatë argumentet e tij se kjo dorëheqje nuk përbën një arratisje dhe se do të qëndrojë për ta parë ekzekutivin e ri, ndaj të cilit siç tha dhe vetë, nuk do të jenë një anti-sistem por do të bëjnë opozitë, nuk i bindin disa prej anëtareve të rëndësishëm të Partisë Demokratike, përfshirë vetë kreun e grupit parlamentar Luigi Zanda.

“Vendimi i Renzit për t’u dorëhequr, por për ta shtyrë pastaj datën e largimit, është i pakuptueshëm dhe shërben vetëm për të fituar edhe pak kohë”, u shpreh ai.

Sipas senatorit demokrat, dorëheqja është një gjë serioze: “O e bën ose jo, dhe kur vendos te largohesh, heq dore pastaj nga manovrat”.