Botë

Amnesty International: A po normalizohet frika dhe urrejtja?

Descriptive Text

Organizata Amnesty International dokumenton shkelje të të drejtave të njeriut në rreth 160 vende dhe konkludon se 2017-ta ishte viti i normalizimit të të politikës së frikës dhe urrejtjes nga shumë udhëheqës të fuqishëm në mbarë botën.

Që nga përqëndrimi i vëmendjes tek personat e zhdukur në rrethana të dyshimta në Meksikë, apo kërkesat për të liruar të burgosurit e ndërgjegjes në mbarë botën, organizata Amnesty International ka mbrojtur të drejtat e njeriut për gati gjashtë dekada.

Raporti i saj i ri thotë se udhëheqësit në Egjipt, Filipine, Venezuelë, Kinë, Rusi dhe Shtetet e Bashkuara po dëmtojnë të drejtat e miliona njerëzve.

“Kanë shpërfillur haptazi të drejtat e njeriut ose u kanë bërë thirrje të tjerëve t’i shpërfillin. Në rastin e Presidentin të Filipineve, Duterte, ai u ka bërë thirrje njerëzve të vrasin ata që dyshohen si shpërndarës droge”, thotë Margaret Huan, drejtore ekzekutive e Amnesty International.

Raporti kritikon edhe Presidentin amerikan Donald Trump për politikën e tij të emigracionit, për dëmtimin e lirisë së shtypit, si dhe për të drejtat e grave. Zëri i Amerikës kërkoi komente nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, por nuk mori përgjigje.

“Një nga rastet më shokuese është se organizatat që kanë ofruar prej kohësh këshillim dhe informacion për abortin dhe shërbimet e tjera të shëndetit riprodhues, duhet të vendosin nëse do ta vazhdojnë këtë këshillim për pacientët, apo do të preferojnë të marrin fonde nga qeveria amerikane”, thotë zonja Huan.

Një grup për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thotë se kjo praktikë u ka humbur miliona dollarë fonde organizatave të tilla.

“Shohim se në vende si Madagaskari, Uganda, Zimbabve, programe që u shërbenin grave për t’u mundësuar qasjen tek kontraceptivët kanë ndaluar tashmë”, thotë John Lotspeich, i organizatës “Marie Stopes”.

Raporti konkludon se fjala e lirë u sulmua gjatë vitit 2017, në veçanti në Kinë, Egjipt dhe Turqi. Zëri i Amerikës ka kontaktuar ambasadat në Washington të këtyre vende, por nuk mori përgjigje.

“Turqia ka burgosur mbi 50 mijë persona gjatë dy viteve të fundit, përfshirë kryetarin dhe drejtorin për Turqinë të Amnesty International. Këto janë veprime të kryera nga një qeveri e udhëhequr nga dikush që ka qenë vetë më parë i burgosur i ndërgjegjes, por që tashmë arreston udhëheqësit e të drejtave të njeriut dhe këdo që është kritik ndaj qeverisë. Kështu po ndodh edhe në Egjipt dhe në Kinë”, thotë zonja Huan.

Raporti vëren megjithatë shenja progresi, si p.sh. me lëvizjen e Marshimit të Grave apo lëvizjen #metoo. Raporti gjithashtu përshëndet vendimin e Tajvanit për të lejuar martesat brenda të njëjtës gjini./VoA