Botë

Pamja tjetër e Moskës së ftohtë, disa të pastrehë jetojnë në tualetet publike

Një numër i madh njerëzish, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi në kërkim të një jete më të mirë vijnë në Moskë, por shumica e tyre përfundojnë në rrugë duke u përballur me temperatura të ulëta ekstreme.

Rusia tashmë një kohë të gjatë, për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe sanksioneve, ndodhet në një gjendje të rëndë ekonomike, kurse mjetet e parashikuara për shërbimet sociale janë të pamjaftueshme.

Numri i njerëzve që jetojnë nën pragun e varfërisë në Rusi është më i larti në dhjetë vitet e fundit, ndërsa vitin e kaluar arriti pothuajse në 20 milionë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Moskë jetojnë rreth 13 mijë të pastrehë, ndërsa organizatat joqeveritare pretendojnë se ky numër është afër 100 mijë.

Temperatura mesatare e ajrit në periudhën e dimrit është 10 gradë celsius nën zero dhe reshjet e dendura të borës janë pjesë e jetës së përditshme. Supozohet se në Moskë çdo vit, për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta dhe faktorëve të tjerë, qindra njerëz të pastrehë humbasin jetën.

Shumë njerëz të pastrehë jetojnë në stacionet e metros, vagonët e zbrazët dhe objekte të braktisura.

Aleksandr Chernov erdhi në Moskë pothuajse dhjetë vjet më parë, dhe për një kohë të gjatë nuk ka çati mbi kokë. Në Rusi erdhi nga Bjellorusia për të ndihmuar familjen e tij, por pas një periudhe të vështirë të jetës së tij, ai mbeti në rrugë. Ndonjëherë i lejohet të hyjë në farmaci për t'u ngrohur pak.

“Ndonjëherë paguaj 50 rubla (rreth 0.70 euro) dhe fle në tualet publik”, tha Chernov për AA.

Ushqimin kryesisht e gjen në kontejnerë.

“Netët në Moskë janë shumë të ftohta. Ndonjëherë temperatura e ajrit arrin edhe deri në minus 20 gradë celsius. Me të vërtetë, jeta në rrugë nuk është aspak e lehtë”, tha Chernov.

Ai shtoi se moskovitët zemër mirë e ndihmojnë atë herë pas here.

“Kohët e fundit, ndërsa isha ulur në rrugë, një i ri m'u afrua dhe më pyeti se si jam, edhe pse nuk kërkova. Ai më dërgoi në një restorant dhe më ofroi ushqim. Ka ende njerëz të mirë”, tha Chernov.

Fat të ngjashëm ka përjetuar edhe Fyodor Solovyov, i cili erdhi në Moskë nga Arkangeli, në veri të vendit në vitin 2008.

“Zakonisht flej në tualetet publike. Nëse janë të mbyllura, jetoj në rrugë, stacione dhe objekte boshe”, tha Solovjev.