Botë

Turqia ultimatum Washingtonit përpara vizitës së Tillersonit

Ankaraja po rrit tensionet përpara vizitës këtë javë, të sekretarit amerikan të shtetit Rex Tillerson.

Ministri i jashtëm turk bëri thirrje që Washingtoni të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar shqetësimet turke rreth mbështetjes amerikane ndaj milicisë kurde YPG në Siri ose do të përballet me një prishje në marrëdhënieve.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusolgu foli në periferi të një takimi mes autoriteteve turke e afrikane që u mbajt të hënën në Stamboll, duke lëshuar një ultimatum ndaj Uashingtonit, përpara vizitës së sekretarit të shtetit Rex Tillerson.

Sipas tij lidhjet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara ndodhen në atë që ai e cilësoi “një pikë shumë kritike” dhe se “vendet ose do t’i ndreqin këto marrëdhënie ose ato do të shkatërrohen plotësisht”. Cavusolgu tha se Turqia nuk do premtime, por hapa konkretë për të rivendosur besimin. Ai fajësoi Shtetet e Bashkuara për humbjen e besimit.

Të dy aleatët e NATO-s kanë patur mosmarrëveshje lidhur me mbështetjen që Uashingtoni ofron ndaj milicisë kurde siriane YPG, në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Ankaraja e konsideron YPG-në organizatë terroriste dhe të lidhur me një rebelim afatgjatë kurd në Turqi.

Muajin e kaluar, forcat turke hynë në enklavën siriane të Afrin-it të kontrolluar nga milicia kurde, përballë thirrjeve të përsëritura nga Washingtoni ndaj Ankarasë që të mos ndërhyjë.

Turqia ka kërcënuar të zgjerojë operacionin e saj në qytetin sirian Manbixh ku janë të vendosura forcat amerikane së bashku me ato të milicisë YPG. Washingtoni e ka kritikuar Ankaranë, duke pretenduar se operacioni i saj i vazhdueshëm në Siri po dëmton luftën kundër Shtetit Islamik.

Por ministri i Jashtëm turk Cavusoglu vuri në pikëpyetje angazhimin e Uashingtonit për të luftuar Shtetin Islamik. Ai pretendoi se Shtetet e Bashkuara nuk po i sulmojnë anëtarët e Shtetit Islamik në Siri, si justifikim për të vazhduar punën me grupin terrorist YPG.

Zyrtarët amerikanë nuk ia përgjigjur ende akuzave të diplomatit të lartë turk.

Të dielën, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare H. McMaster u takua në Stamboll me këshilltarin e presidentit turk, Ibrahim Kalin. Pas takimit, në një deklaratë të përbashkët të dy palët u angazhuan për një marrëdhënie strategjike afatgjatë.

Por analistët vunë theksin tek mungesa e përmendjes së mospajtimeve mes dy vendeve.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson pritet t’i paraqesë një listë me shqetësime të SHBA-së homologun e tij turk kur të vizitojë Turqinë më vonë këtë javë, si pjesë e një turi më të madh rajonal.

Ndërkohë në një lëvizje më të fundit autoritetet turke kanë bërë të ditur se rrugën përpara ambasadës amerikane në Turqi do ta quajnë "Dega e Ullirit" sikurse quhet operacioni ushtarak turk në Siri që synon milicinë kurde YPG.

Ky veprim është shembulli më i fundit i marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve.

Kryebashkiaku i Ankarasë Mustafa Tuna shkroi të hënën në twiter se "kemi nënshkruar propozimin e nevojshëm për të ndryshuar emrin e rrugës Nevzat Tandogan përpara ambasadës amerikane, në “Dega e Ullirit”.

Vendimi do t’i paraqitet këshillit bashkiak të Ankarasë ku ka shumë gjasa të miratohet tha zoti Tuna vetëm pak ditë përpara vizitës së zotit Tillerson.