Botë

Iraku kërkon 100 miliardë dollarë për rindërtimin e shtetit

Iraku kërkon rreth 100 miliardë dollarë investime të jashtme në transport, energji dhe bujqësi, në kuadër të planit për të rindërtuar pjesë të shtetit dhe për ringjalljen e ekonomisë pas luftës tri-vjeçare me grupin militant, Shteti Islamik.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Komisioni Kombëtar për Investime ka publikuar një listë të 157 projekteve, për të cilat do të kërkojë investime në Konferencën Ndërkombëtare për Rindërtimin e Irakut.

Kjo konferencë do të mbahet në Kuvajt nga 12 deri më 14 shkurt.

Në disa projekte parashihet rindërtimi i pjesëve të shkatërruara siç është aeroporti i Mosulit, derisa të tjerat janë të fokusuara në fuqizimin e ekonomisë, ka thënë këshilltari për ekonomi i kryeministrit irakian, Haider al-Abadi.

“Të gjitha së bashku kapin vlerën e 100 miliardë dollarëve”, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, këshilltari, Mudhar Saleh, transmeton REL.

Rindërtimi i shtëpive, spitaleve, shkollave, rrugëve, bizneseve dhe telekomunikimeve janë kyçe për ofrimin e punës për të rinjtë.

Në këtë mënyrë synohet parandalimi i shpërnguljeve të qindra mijëra personave nga shtëpitë e tyre.

Iraku ka shpallur fitore kundër grupit militant, Shteti Islamik në dhjetor të vitit të kaluar, duke arritur të ketë nën kontroll gjithë territorin e pushtuar nga militantët më 2014 dhe 2015.

Një zyrtar amerikan në Bagdad ka thënë se 100 kompani amerikane do të marrin pjesë në konferencë.